Arbëri

Shkollat profesionale synohet të kthehen në shkolla orientuese për karrierë

Descriptive Text

Ministria e Arsimit ka lansuar fazën e dytë të projektit KSV/020, përmes së cilit synohet mbështetja e reformës së arsimit dhe aftësimit profesional në nivel nacional në Kosovë, projekt ky që po vazhdon të përkrahet nga Qeveria e Luksemburgut.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, tha se MAShT po synon që shkollat profesionale t’i kthejë në shkolla orientuese për karrierë, në mënyrë që të rinjtë ta kenë më të lehtë depërtimin në tregun e punës.

Ai po ashtu njoftoi se Qeveria e Luksemburgut do të përkrahë edhe një projekt të dytë katërvjeçar, i cili do të përfshijë të gjitha qendrat e aftësimit profesional në Kosovë.

"Synimi dhe qëllimi i MAShT-it është që vazhdimisht t’i zhvillojmë politikat e arsimit profesional, të kemi standardë të larta të mirëfillta të profilit, të profesioneve, faktikisht jemi duke bërë angazhime që ato të cilat na kanë munguar deri sot, do të jenë në përputhshmëri të plotë me standardet që zbatohen sot në vendet e zhvilluara. Gjithashtu një përpjekje e madhe është duke u bërë që të kemi kurrikulën bërthamë për të gjitha profilet që sot aplikohen në shkollat tona profesionale”, tha Bytyqi.

Ndërsa ushtruesja e detyrës së drejtores së Departamentit për aftësim profesional Valbona Fetiu-Mjeku, tha se në kuadër të përmbylljes së këtij projekti, që kishte filluar në vitin 2010, po e nisin përsëri për shkollat tjera.

Ndër rezultatet më të rëndësishme të këtij projekti, ajo i cilësoi dy Qendrat e Kompetencës në Ferizaj dhe Prizren, si dhe nivelin e pestë të kualifikimit për fëmijët me nevoja të veçanta.

"Çka është qenësore dhe më e rëndësishmja për mua është niveli i pestë i kualifikimit për fëmijë me nevoja të veçanta, që për mua ka qenë një e arritur dhe diçka që sot e kemi në Kosovë, që ende e nuk e dimë sa vlerë ka ai kualifikim dhe ata njerëz të cilët do të trajnohen për atë kualifikim”, tha Fetiu-Mjeku.

Kurse përfaqësuesja nga ambasada e Luksemburgut në Kosovë, Anne Dostert, tha se suksesi i projektit të parë e ka shtyrë Qeverinë e Luksemburgut që të investojë edhe për një projekt të dytë. Ajo njoftoi se kanë rritur edhe buxhetin financiar meqë në projekt është rritur numri i përfituesve.

"Suksesi i fazës së parë të projektit n aka shtyrë që të investojmë edhe pesë milionë euro më shumë në fazën e dytë të projektit që do të vazhdojë, që po lansohet sot, dhe jam shumë e lumtur që po vazhdojmë bashkëpunimin me partnerët tanë këtu”, tha Dostert.

Ndërsa përfaqësuesi rezident i LuxDev në Kosovë, Paolo Cervino, rikonfirmoi se pjesa e dytë e këtij projekti do të fokusohet në nivel nacional.

Sipas MAShT-it, fokusi kryesor i projektit është përmirësimi i strukturave dhe performancës së sistemit të AAPT-së, realizimi i AAPT-së në Kosovë dhe promovimi i arsimit cilësor e gjithëpërfshirës.

Përfituesit kryesorë të projektit janë nxënësit, të rriturit dhe familjet, Qendrat e Kompetencës në Ferizaj dhe Prizren, Qendra e Kompetencës në Prishtinë, tetë shkolla të AAP-së nëpër Kosovë, mësimdhënësit, instruktorët, etj.