Familjarët e të vrarëve në Mejë ankohen se po luhet lojë me fotot e të zhdukurve

Familjarët e të vrarëve në Mejë ankohen se po luhet lojë me fotot e të zhdukurve

14 nëntor 2018 11:40

Përfaqësuesit e Shoqatës së familjeve të personave të zhdukur kanë shpalosur pakënaqësitë e tyre rreth punimeve në Kompleksin memorial në Meje të Gjakovës para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në Kuvendin e Kosovës.

Ata kanë kërkuar që t’iu kthehen fotografitë e personave të zhdukur të cilat po mbahen nga nënkontraktorët e kompanisë që ka marrë përsipër të kryejë punimet në këtë Kompleks. Sipas tyre problemet midis kontraktorëve kanë bërë që fotografitë e të zhdukurve të mbahen peng shkaku i borxheve që kompanitë ia kanë njëra-tjetrës, raporton Koha Ditore.

“Është e drejtë themelore e jona që të na kthehen fotografitë e personave të zhdukur”, ka thënë Ahmet Sadriu, kryetar i Shoqatës.

Ai ka treguar se rastin e kanë paraqitur edhe në Policinë e Kosovës.

Sipas Sadriut, punëkryesi ka kontraktuar një kompani tjetër për realizimin e punimeve dhe nënkontraktori arsyetohet se punëkryesi i detyrohet me 70 mijë euro andaj edhe po i mban fotografitë derisa t’i marrë mjetet./Shaban Maxharraj

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme