Arbëri

Kosova ishte kundër zgjidhjes së përkohshme të ofruar nga ENTSO

Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji Elektrike, ENTSO, ka propozuar për Kosovën një zgjidhje e cila bie në kundërshtim me marrëveshjen për energji, të nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Sipas marrëveshjes, kufijtë energjetikë të vendit do të ishin sipas kufijve gjeografikë, dhe KOSTT-i do të menaxhonte me Ujmanin, raporton KTV.

Megjithëkëtë, do të krijohej një kompani serbe, e cila do ta kryente vetëm furnizimin dhe leximin e orëve për komunat veriore.

Por, zgjidhja e përkohshme e vetëquajtur nga ENTSO parasheh të kundërtën.

Në të ishte paraparë që Serbia t’ia njohë kufijtë energjetikë Kosovës, ku nuk përfshihen komunat veriore.

Në Express Intervistën e KTV-së, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka treguar se kjo zgjidhje është refuzuar nga KOSTT-i.

Në takimin e radhës, që do të mbahet mes KOSTT-it dhe MSO-së të Serbisë me organizatën ENTSO, më 20 nëntor, Lluka thotë se do të bëhet me dije se menaxhimi me Ujmanin nuk diskutohet.

Por, Fadil Ismaili thotë se KOSTT-i i ka plotësuar të gjitha kriteret për të qenë anëtar i Asamblesë së ENTSO-s, por vendimi ka kaluar në çështje politike.

Kohavisioni ka kërkuar të marrë një përgjigje nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili po synon një marrëveshje finale me Serbinë, por askush nga kabineti i tij nuk është përgjigjur.

Kosova paguan dëme në vlerë prej 25 milionë eurove, si pasojë e mosnjohjes së kufijve energjetikë.

12 milionë nga mospagesa e qytetarëve në komunat serbe për rrymën që e shfrytëzojnë, 10 milionë nga shfrytëzimi i linjës së transitit nga Serbia dhe 3 milionë, si pasojë e mosfunksionalizimit të linjës me Shqipërinë.

Kundër zgjidhjes së përkohshme të ENTSO-së, kanë dalë Serbia, Bosnja, Rumania, Bullgaria, Spanja e Hungaria, kurse kanë abstenuar Maqedonia dhe Mali i Zi.