Arbëri

Mustafa: Absurde të vazhdohet dialogu përderisa Serbia s’e ndal fushatën e çnjohjeve

Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon t’i quajë absurde takimet për dialog midis presidentit Thaçi me homologun serb Aleksandër Vuçiq me ndërmjetësim të BE-së.

Kreu i kësaj partie, Isa Mustafa, tha se Kosova nuk mund të bisedojë me një shtet për normalizim, derisa ai të punojë në kahun e kundërt, atë të kthyerjes mbrapsht të njohjeve, raporton KTV.

Mustafa tha se LDK-ja vazhdon të jetë e përkushtuar në çështjet zhvillimore për vendin, siç janë formimi i ushtrisë e procesi i liberalizimit të vizave.

Sipas Mustafës, Kosova ka pasur ngecje në implementimin e MSA-së, e reformave evropiane. E kjo tha se është bërë për shkak të klientelizmit brenda Qeverisë Haradinaj.

Sa i përket rrëzimit të Qeverisë, kreu i LDK-së, deklaroi se atë do të përpiqen ta bëjnë me marrëveshje, pa përjashtuar asnjë parti, e as Listën Serbe.