Arbëri

Selimi: Qeverinë Haradinaj duhet ta rrëzojë populli, jo Lista Serbe

Po vazhdon rendi i deklarimeve nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me mundësinë që Lista Serbe t’i bashkohet përpjekjeve për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Listës i është shtuar edhe deputeti Rexhep Selimi, që përmes një postimi në Facebook shkruan se Qeveria Haradinaj duhet të rrëzohet, por jo nga Lista Serbe për shkak të taksës ndaj mallrave serbe. Selimi thotë se Qeveria Haradinaj duhet të rrëzohet nga qytetarët e Kosovës dhe pozita, pasi siç shpreh bindjen ai, kjo Qeveria është e paaftë dhe e padrejtë.

“Ashtu siç ju patëm paralajmëruar para një viti në seancën e Kuvendit të Kosovës, erdhi dita që njëri nga partnerët e koalicionit qeverisës - Lista Serbe po e kërkon rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. Por, ashtu siç nuk jemi bërë bashkë me Listën Serbe as për ta votuar Haradinajn, po ashtu edhe nuk bashkëpunojmë me Listën Serbe as për ta rrezuar atë”, ka thënë Selimi, përcjell Koha.net. “Qeveria Haradinaj vërtet duhet të rrezohet, sa më shpejt aq më mirë, por jo nga Lista Serbe për shkak të taksës ndaj mallrave serbe, por nga qytetarët e Kosovës dhe pozita për shkak se Qeveria Haradinaj është qeveri e paaftë, qeveri e skandaleve e mbi të gjitha një qeveri e pa drejtë”, shkruan Selimi më tej.

Më parë edhe Liburn Aliu u deklarua rreth kësaj çështje, duke thënë kjo parti e do rrëzimin e kësaj qeverie dhe zgjedhje të reja në Kosovë, por se Vetëvendosje nuk ua kërkon nënshkrimet dhe nuk bën pazar me deputetët e Listës Serbe.

Koha.net raportoi dje për një momentum të ri në skenën politike vendore, kur Lista Serbe është shprehur e gatshme që të mbështesë secilën përpjekje për rrëzimin e Haradinajt. Shkak për këtë Lista Serbe e ka vendosjen e taksës prej 10 për qind për mallrat serbe.