Përqendrimi i vëmendjes vetëm te kufiri mund të ketë ndikim të keq destabilizues, thotë Mangin Foto: IAEA Imagebank

Përqendrimi i vëmendjes vetëm te kufiri mund të ketë ndikim të keq destabilizues, thotë Mangin

10 nëntor 2018 21:49

Drejtoresha për Evropën Kontinentale në Ministrinë e Jashtme të Francës, Florence Mangin, në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, ka folur për çështjen që kohëve të fundit është përfolur shumë, si në vend, ashtu edhe jashtë – çështjen e zgjidhjes së problemit me Serbinë dhe idenë e ndryshimit të kufijve.

Mangin ka thënë se përqendrimi i vëmendjes vetëm te kufiri mund të ketë ndikim të keq destabilizues.

“Çështja e stabilitetit të rajonit është element kyç, absolutisht element kyç. Jo vetëm i dialogut, por është element kyç për zhvillimin e vendeve të përfshira. Nëse nuk keni stabilitet, nuk mund ta përmirësoni zhvillimin social-ekonomik, nuk mund ta përmirësoni zhvillimin e kompanive në vend. Mungesa e stabilitetit do të ndikojë në ndjenjat evropiane karshi gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pra, ky është absolutisht thelbi i të gjitha përpjekjeve tona përbrenda BE-së, përbrenda Procesit të Berlinit, i cili është një tjetër format i ndihmës për shtetet e Ballkanit Perëndimor në emër të zhvillimit të bashkëpunimit rajonal nëpërmjet infrastrukturës, nëpërmjet iniciativave për gjeneratat e reja, prandaj stabiliteti është absolutisht thelbi dhe ADN-ja e gjithë asaj që ne po bëjmë në rajon. Për këtë arsye, natyrisht, stabiliteti është çelësi për dialogun. Dhe është e vërtetë se nëse vëmendja përqendrohet vetëm te çështja e kufirit, kjo gjë mund të ketë ndikim të keq për destabilizimin e rajonit. Pra, ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për këtë dhe për ne marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbajë garanci për stabilitetin e dy vendeve dhe të rajonit. Është ky përnjëmend një element kyç i gjithë procesit”, ka thënë Mangin, raporto Koha.net.

Ajo theksoi se zgjidhja definitive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është element kyç në shtegun drejt BE-së, “por nuk mund t’i reduktoni gjërat në vetëm kaq, ka edhe elementë të shumtë, të tjerë, në kuadër të propozimeve të BE-së për të dyja vendet”.

“Sa për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, po, marrëveshja përfundimtare ndërmjet dy vendeve, e që është përgjegjësi e të dyja vendeve, natyrisht duhet të jetë në përputhje me vlerat e BE-së”, theksoi Drejtoresha për Evropën Kontinentale në Ministrinë e Jashtme të Francës, Florence Mangin.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme