Arbëri

Bashkëpunimi mes shkollave mund ta rritë cilësinë në arsim

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka mbajtur sot konferencën “Komunitetet e të Mësuarit së Bashku” gjatë së cilës u tha se bashkëpunimi mes shkollave luan rol të rëndësishëm në ngritjen e cilësisë në arsim.

Aty po ashtu u kërkua mbështetje e vazhdueshme nga Ministria e Arsimit.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, tha për KosovaPress se konferenca është përmbyllje e aktiviteteve të kësaj sindikate, që kanë për qëllim rritjen e bashkëpunimit të shkollave mes vete, me qëllim të rritjes së cilësisë në arsim.

Jasharaj potencoi se kjo sindikatë nuk po angazhohet vetëm për kërkesat e mësimdhënësve por po bashkëpunon edhe me GIZ-in për arsim më cilësor.

“Qëllimi i kësaj konferencë është të dëshmojë edhe një herë se SBAShK-u përveç angazhimeve që i ka në bazë të statutit në përpjekjet për realizimin e kërkesave të mësimdhënësve, po dëshmohet gjithnjë se është angazhuar edhe për ngritjen e vazhdueshme të cilësisë në arsim. Kjo konferencë është pikërisht një angazhim i tillë dhe ne konsiderojmë se hapat e parë që janë hedhur që të bëhen grupime shkollash në mënyrë që ato të bartin përvojat e mira me njëra-tjetrën dhe të punojnë bashkërisht për një ngritje të vazhdueshme të cilësisë”, ka thënë Jasharaj.

Image

Kurse Selim Mehmeti, i cili prezantoi raportin “Komunitetet e të Mësuarit së Bashku në Kosovë”, tha se në shkolla po bëhet punë e mirë, por mungon dokumentimi.

Ndër të tjerash, ai rekomandoi që Ministria e Arsimit të përfshijë në planin vjetor të trajnimeve edhe mbështetjen e Komuniteteve të të Mësuarit së Bashku.

“Të dhënat e gjetjet nga gjashtë raportet tregojnë që Drejtoritë Komunale të Arsimit duhet të jenë më shumë përkrahës në këtë proces, po flasim për një proces të mbështetjes në përmbajtje, jo në infrastrukturë, jo në aspektet tjera që komuna I ka një detyrim tjetër ligjor, por një proces në mbështetje të për t’i ngritur rezultatet e nxënies përmes mundësisë për t’i përfshirë në trajnime bazuar në nevojat e mësimdhënësve përmes mundësisë për t’i mbështetur në projekte të përbashkëta të komuniteteve, përmes mundësisë që planet e zhvillimit që adresohen nga shkolla që ligjërisht e kanë përgjegjësi që planet e shkollave t’i integrojnë në planet e komunave, këto t’i bëjnë aktive dhe t’i mbështesin gjatë zbatimit të tyre”, ka thënë Mehemti.

Gjatë kësaj konference u mbajtën edhe disa seanca plenare dhe sesione pyetje-përgjigje, ndërsa të pranishëm në fjalimin hyrës ishin edhe zëvendësministri i Arsimit, Heset Sahiti, Kryetari i Komisionit për Arsim, Ismail Kurteshi si dhe Rrezarta Zhinipotoku si përfaqësuese e GIZ-it.

Përndryshe, Komunitetet e para të të Mësuarit së Bashku u formuan në vitin 2013. Ky proces vazhdoi deri në vitin 2017, dhe aktualisht janë 21 KMB të shtrira në 102 shkolla dhe 8 komuna. Sipas organizatorëve, këto komunitete u themeluan më qëllim të ngritjes së cilësisë në arsim.