Arbëri

Sallova: Haradinaj mund ta ndalë Thaçin, s’po e bën sepse të nesërmen do të shkonte në opozitë

Donik Sallova, Doktor i Shkencave Politike, ka folur për takimet e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sallova në Express Intervistën në KTV tha se presidenti serb Aleksandar Vuçiq u pa shumë i hidhëruar, madje kishte marrë shkas se s’pati marrëveshje pasi Kosova ka vënë taksën prej 10 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe BeH.

“Ky rol i viktimës nga Serbia ka synim ta forcojë pozicionin e Serbisë. Takim pas takimit Serbia do të shpalos interesat e saj, e do ta akuzojë Kosovën për marrëveshjet që s’janë arritur deri tani. Asociacioni do të jetë i radhës. Ndoshta edhe do ta kushtëzojë Kosovën për këtë”, tha Sallova, transmeton Koha.net.

Sipas tij presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ishte më i butë, dhe tha se takim pas takimi thotë se janë të vështira takimet me Vuçiqin.

“Aq i vështirë ka qenë, saqë ai e portretizoi Vuçiqin si “dreq”, por u takua me një më të keq se dreqi. Thaçi është optimist se megjithatë do të arrihet marrëveshje. Nuk e di nëse Thaçi e ka shpërfaq idenë për një marrëveshje”, tha ai.

Sallova gjithashtu theksoi se që nga dita kur kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë s’merr vesh nga negociatat, është ditur që Thaçi do ta bëjë këtë.

“Por s’e di si do ta bashkojë Preshevën me Kosovën ai. Thaçi nuk e tregon këtë. Është e pabesueshme dhe Thaçi po bën hile. Ne e dimë që Serbia e do Veriun. Në veri ka shumë pasuri, është edhe Ujmani. Me këtë këmbim Serbia do të thotë pse ta jap unë Preshevën? Ose në këmbim të njohjes, kërkoj të ma japësh Veriun e të marrësh disa shkurre në Luginë”, thotë Sallova.

Ai gjithashtu tha se negociatat janë nisur për një marrëveshje përfundimtare, por Serbia është ajo që po stopon vazhdimisht.

“Serbia pa nxjerrë diçka përfundimtare nga Kosova nuk ndalet. Kemi bërë pa fund kompromise, sepse na kanë thënë kështu Serbia do ta njohë Kosovën, por Serbia s’po e bën këtë. Serbët u radikalizuan”, tha tutje Sallova.

Sallova shtoi gjithashtu se ndërkombëtarët po thonë se nuk ka vija të kuqe. “Kjo i bie që Kosova do të bëjë një kompromis të ardhshëm. Kosova do ta paguajë çmimin në fund. Kosova do të jap diçka. Interesi i Kosovës është vetëm të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare”, tha tutje Sallova.

Sallova thotë se megjithatë diplomacia e Kosovës po shuhet.

“Fakti që kanë stanguar njohjet ndaj Kosovës flet shumë. Mendohet se duhet të ndodhë diçka mes Kosovës e Serbisë për t’u rritur njohjet ndaj Kosovës”, tha ai.

Sallova gjithashtu tha se negociatat, janë çështja kryesore pse Kosovës nuk po i liberalizohen vizat.

Për taksën prej 10 për qind, Sallova tha se Kosova duhet të qëndrojë pas kësaj edhe pse presidenti Thaçi ishte kundër.

“Kryeministri Haradinaj po qëndron kundër vendimeve të Thaçit për dialog e mbase do qëndrojë edhe pas kësaj e i vendosur”, tha tutje.

Ai tha se kishte mundësi që presidenti Thaçi të ndalohej për të shkuar në negociata, por opozita dështoi ta bëjë këtë. Akuzoi opozitën se në një farë mënyre e kundërshtojnë Thaçin e në anën tjetër janë shumë të pavendosur.

Sallova tha se sot ka forca kredibile politike, por nuk e di se sa do të funksionojnë.

“Po të dojë kryeministri Haradinaj ta ndalojë Thaçin, ai del me konferencë për media dhe i dërgon BE-së letër paraprakisht. Ai mundet dhe askush s’mund ta ndalë atë, por ai nuk po e merr përsipër. Kështu Thaçi menjëherë do të dilte nga loja. Bartësi i vërtet ekzekutiv është vetëm Haradinaj. Por Haradinaj s’po e prek Thaçin sepse por e preku Thaçin të nesërmen shkon në opozitë”, përfundoi Sallova intervistën e tij në Express të KTV-së.