Palokaj: Dialogun që nga fillimi po e përcjellin fshehtësi të mëdha

Palokaj: Dialogun që nga fillimi po e përcjellin fshehtësi të mëdha

08 nëntor 2018 23:39

Augustin Palokaj, korrespodenti i Grupit KOHA në Bruksel, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi që nga fillimi po përcillet nga fshehtësi të mëdha.

Këtë e ka lidhur me deklaratat e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq për të cilët ka thënë se lënë vazhdimisht përshtypje të ndryshme.

“Ky dialog që nga fillimi ka fshehtësi të madhe. Fitohet përshtypja se janë afër marrëveshjes e herë se janë shumë larg. Ky përfundim doli edhe sot nga takimi”, ka thënë Palokaj në Interaktiv.

Ai ka komentuar deklaratat e Thaçit dhe Vuçiqit duke thënë se presidenti i Kosovës u shpreh se Kosova dëshiron një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, diçka që nuk u përmend nga pala serbe. Sipas Palokajt, Vuçiqi pati sjellje të çuditshme para mediave në Bruksel.

“Vuçiqi ka qortuar palën kosovare duke thënë se po dëshmojnë që s’janë në gjendje të zbatojnë asnjë marrëveshje. Sipas tij CEFTA është shkelur me taksën e fundit. Në një mënyrë dha ultimatum se pa këtë marrëveshje s’mund të ketë mundësi për të biseduar në të ardhmen dhe tha se ‘pala shqiptare duhet të përmirësojë gabimin’. Thaçi tha se po punohet për një marrëveshje”, ka shtuar Palokaj.

Sipas tij të paqartë dialogun po e bëjnë edhe deklaratat se tash është faza e fundit dhe deklaratat e mëvonshme se takimet janë të vështira. Për takimin e radhës ka thënë se s’ka datë akoma, por ka shtuar se ekzistojnë spekulime se tash takimet do të shpeshtohen.

Për procesin e liberalizimit të vizave, Palokaj ka thënë se ose po bëhet lojë me deklarata nga liderët kosovarë ose nuk po i dinë hapat drejt liberalizimit. Sipas tij deklaratat se liberalizimi mund të bëhet sivjet, janë tejet optimiste.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme