Përgjigje fyesve nga MASHT-i

Përgjigje fyesve nga MASHT-i

08 nëntor 2018 23:21

Baton Dushi, shef i kabinetit të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, i pakënaqur me ekspozimin që ia ka bërë gazeta konfliktit të interesit që ka mes biznesit të tij privat dhe institucionit ku punon, ka zgjedhur që me fyerje dhe shpifje të përpiqet ta mbulojë të vërtetën e publikuar.

Në postimin e tij në Facebook, zyrtari Dushi manipulon me përmbajtjen e shkrimit, duke e portretizuar veten si viktimë, derisa viktima e vërtetë në pretendimet e tij është e vërteta.

Sepse, në hulumtimin e këtij rasti të konflikti të interesit, gazeta ka kontaktuar me të gjitha palët relevante – prej vetë zyrtarit në fjalë dhe biznesit përmes të cilit ai realizon përfitime afariste nga ministria ku merr edhe punon, e deri tek vetë Ministria dhe Agjencia Antikorrupsion. Shkrimi i përmban të gjitha deklarimet dhe shpjegimet relevante që palët ishin të vullnetshme t’i jepnin. Për më tepër, esencën e lajmit – se shefi i kabinetit të ministrit përfiton nga biznesi me kafe në MASHT - e konfirmon edhe vetë ky në postimin e tij.

Ata që e kanë lexuar artikullin e publikuar tashmë i dinë të gjitha këto. Të tjerët, që mund të jenë vënë në lajthitje nga postimi viktimizues i shefit të kabinetit të ministrit, mund ta lexojnë shkrimin në gazetën e së martës, 6 nëntor 2018, në faqen 5.

Por, shefi i kabinetit të ministrit ka shkuar edhe më larg. Në postim, ai e ka quajtur autoren e shkrimit, gazetaren tonë Edona Kutleshi “përbindësh”, ka marrë guximin ta vlerësojë nivelin e saj profesional dhe e ka etiketuar si “llum mediatik”. Duke sulmuar gazetaren tonë, ai na ka sulmuar të gjithë neve në “Kohën Ditore” dhe Grupin KOHA, por edhe gjithë gazetarinë profesionale të Kosovës.

Ky fjalor dhe këto akuza përveçse janë të pavërteta, janë edhe të patolerueshme.

Andaj, për zyrtarin Dushi kemi vetëm këtë porosi: Grupi KOHA qëndron tërësisht prapa shkrimit të botuar, dhe nuk do të ndalet para asnjë presioni, fyerjeje apo shantazhi.

E eprorit të tij, ministrit Shyqiri Bytyqi, ia themi këtë: Derisa si ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk distancohet nga deklarimet fyese dhe kërcënuese të shefit të kabinetit të tij, dhe derisa nuk vjen një kërkimfalje zyrtare dhe publike nga institucioni, ne si medium suspendojmë çdo lloj komunikimi zyrtar me ministrin Bytyqi dhe MASHT-in.

Si medium, në shërbim të informimit të publikut, do të vazhdojmë t’i përcjellim ngjarjet dhe punën e institucionit, si dhe hulumtimet që ndërlidhen me fushën e veprimit të MASHT-it dhe zyrtarëve të saj. Por, nuk do të publikojmë intervista, komente, deklarime për media apo rrjete sociale të ministrit apo zyrtarëve politikë të Ministrisë.

Siç e kemi thënë edhe në raste të tjera, që nga ditët e para të KOHËS, sulmet dhe fyerjet nuk na zmbrapsin.

Përkundrazi.

Grupi KOHA

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme