Arbëri

Franca nuk ka vija të kuqe për dialogun Kosovë - Serbi

Shteti francez nuk ka vija të kuqe sa i përket dialogut mes Kosovës e Serbisë. Për herë të parë, një gjë të tillë e bëri të ditur në Rubikon të KTV-së, ambasadori francez, Didier Chaber.

Ai tha se u takon të dy vendeve të vendosin për çka duan të dialogojnë dhe si do ta bëjnë atë.

Sipas tij, nuk mund të jetë në dorën e partnerëve ndërkombëtarë vendimi i cili do të merret.

"Nuk ka vija të kuqe, ju takon juve por është përgjegjësia jonë që të sigurohemi se marrëveshja do të përmbushë të gjitha kërkesat e stabilitetit dhe sigurisë sepse përgjegjësia jonë si miq të Kosovës është që të sigurohemi se asnjë marrëveshje nuk do të dëmtoj sigurinë dhe stabilitetin në regjion", ka thënë ai.

"Ju takon juve të vendosni se çka doni të bisedoni me Serbinë, si doni që të diskutohet dhe nuk na takon neve prej jashtë të vendosim se cila janë vijat e kuqe. Pra, çfarë ne duam për stabilitetin e rajonit dhe stabilitetin e Evropës është ajo që disa bisedime duhet të shkojnë në drejtimin e duhur e cila është një marrëveshje ligjërisht e obligueshme e cila do të drejtojë te njohja e plotë e dy shteteve por përgjegjësia për të udhëhequr procesin është në duart e Serbisë dhe të Kosovës e jo në duart tona."