Një shekull pas Luftës së Parë Botërore, flasin ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës

Çfarë shembulli mund të marrin Kosova e Serbia për pajtim, sipas ambasadorit francez

08 nëntor 2018 20:19
21:06

Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, thotë se filli i pajtimit rajonal, duke përmendur rastin e Francës dhe Gjermanisë, është dialogu i kompletuar.

Pajtimi, thotë ambasadori Chabert, është proces që vazhdon dhe nuk ndalon kurrë.

“Do të thosha që mes Francës e Gjermanisë pajtimi nuk është një gjë e kryer, akoma vazhdon, kemi një shkëmbim mes të rinjve, bursa shkollimi, trajnime të përbashkëta për të rinjtë dhe për 50 vite ishim më shumë se 8 milionë njerëz nga të dyja vendet të cilët kanë përdorur mjetet e programeve të shkëmbimit për të rinjtë. Por është një gjë që nuk ndalon kurrë. Pajtimi është proces që vazhdon. Pra, cili mund të jetë mësimi i nxjerr nga pajtimi rajonal mes Francës e Gjermanisë - fillimisht dialogu, pra dialogu i kompletuar", ka thënë ai.

Bashkëpunimet në mes të të rinjve, sipas Chabertit, janë mundësi që të fillojë mirëkuptimi dhe të tejkalohet e kaluara.

“Mund të ketë tejkalim të kohës së shkuar dhe një pajtim të vërtet dhe duke thënë shkakun se përse në kohët e fundit ka pasur iniciativa të ashtuquajturën ‘Procesi i Berlinit’, pasi që ka nisur në Berlin i cili proces çoi në një iniciativë të re në Ballkan e cila quhet RYCO”.

Sipas Chabert, e rëndësisë jetike është që iniciativa e Berlinit t'u shërbejë edhe Kosovës e Serbisë, që bashkëpunimet mes shoqërisë civile dhe rinisë së dy vendeve të jenë sa më të mëdha.

Vetëm kështu, thotë ai, mund të ndodhë pajtimi.

"Kështu që mendoj se pajtimi politik dhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mund të sjellë status të unifikuar por pas krahëve të këtij dialogu mund të bëhet edhe diçka mes shoqërisë civile, sepse nëse s’bëhet, as shoqëria civile nuk mund të kuptojë se çfarë është duke ndodhur mes pajtimit dhe dialogut", theksoi ai.

Diplomati gjerman, Christian Heldt, në Rubikon të KTV-së ka folur për zyrën e rinisë franko - gjermane, e cila sipas tij, ka arritur që bashkojë rininë dhe të flasin për paragjykimet e tyre.

Heldt, duke e quajtur atë proces të shërimit të memories, vë në pah rëndësinë që të dy shtetet, ai gjerman dhe francez, i kanë kushtuar kësaj çështjeje.

"Por që të bëjmë siç e quajmë sot proces i shërimit të memories, kjo është më saktësisht ajo çfarë zyra e rinisë franko-gjermane sot ka arritur – t’i bashkojnë të rinjtë që të bisedojnë për paragjykimet e tyre dhe të zbulojnë që të tjerët nuk janë ashtu siç kemi menduar. Ata janë qenie njerëzore, europianë, qytetarë evropianë, e cila na kthen tek thënia themelore, ‘disa fuqi të huaja nuk e kuptojnë në të vërtetë shpirtin e Bashkimit Evropian’, nuk ka të bëjë me tregtinë e lirë, apo dogana, por ka të bëjë me shpirtin e qytetarisë evropiane, sepse nëse me të vërtetë shikoni historinë, e shihni se nuk mund të definosh asgjë sipas një koncepti tipik të një shteti komb, por me një trashëgimi shumë më të madhe që ndajmë me njëri tjetrin", ka thënë Heldt.


Duke përmendur shembujt konkretë nga rasti i Francës dhe Gjermanisë dhe duke e ndërlidhur atë me Kosovën e Serbinë, ambsadori francez, Didier Chabert, në Rubikon të KTV-së, ka thënë se fillimisht duhet të ndodhë procesi i pajtimit të brendshëm i çdo shoqërie.

Sipas tij, niveli i dytë i pajtimit është pajtimi mes armiqve të mëparshëm.

"Pajtohem plotësisht kur flasim për pajtimin, kemi dy aspekte, aspekti i parë është pajtimi mes fqinjëve, dhe aspekti i dytë pajtimi mes shoqërisë. Në Francë gjithashtu duhej të ndalonim demonët tonë pas Luftës së Dytë Botërore dhe ishte një luftë mes nesh, sepse është një reflektim i brendshëm të cilin duhej ta kishim edhe ne në Francë, kështu që edhe unë, siç tha kolegu im, është shumë e vështirë të nxjerrim mësime se çfarë ka ndodhur në shoqërinë tonë, në të gjitha vendet, mendoj se çdo shoqëri duhet ta gjejë problemin e brendshëm të cilin e kanë në çdo periudhë lufte dhe që mos të kthehen më aty, pra, kjo është pjesë e pajtimit, procesi i pajtimit të brendshëm i çdo shoqërie, niveli i dytë i pajtimit është pajtimi mes armiqve të mëparshëm", ka thënë ai.

20:32

Çka i shkaktoi luftërat sipas ambasadorit Heldt

“Druaj se më duhet të pajtohem se u desh edhe një luftë akoma më e tmerrshme që të nxirren disa mësime e të mos besojmë në mitologji nacionaliste",

Kështu thotë diplomati gjerman, Christian Heldt në Rubikon të KTV-së duke folur për Luftën e Parë Botërore, pasojat dhe zhvillimet që ndoqën edhe 100 vite pas.

"Kemi një shembull të jashtëzakonshëm të një figure historike që e ndajmë mes Francës e Gjermanisë. Atëherë, nëse një nxënës gjerman shkon në Francë duke e njohur perandorin e madh, Karl der Grosse (Karli i Madh), do të magjepset fare për të zbuluar se francezët e kanë adaptuar dhe ekziston edhe Charle le Magne (Karli i Madh), i cili është i njëjti person", ka thënë ai.

"Ne e interpretojmë atë në mënyrën tonë në Gjermani, francezët ndërkaq në mënyrën e vet, por në përputhje me, të themi ashtu, analizat e shteteve që evoluojnë nga shekujt e ardhshëm. Do të thotë ishte edhe kjo mitologji që luajti rol të madh duke mos pasur ide rreth projekteve të ndërtimit të paqes në vitet ’19-’20 që pasuan".

Sipas tij, një prej problemeve kryesore ishin idetë e formuara që më parë rreth shteteve të tjera dhe popullsisë së tyre, sepse ishin të panjohura.

"Sot diçka e këtillë do të ishte e paimagjinueshme", përfundon ai.

20:19

Një shekull pas Luftës së Parë Botërore, flasin ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës

Një shekull pas Luftës së Parë Botërore, dy ambasadorët e shteteve të cilat për vite ishin në konflikt, Gjermani dhe Francë, flasin për pasojat dhe mësimet që i nxorën nga ato vite tmerri.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, në Rubikon të KTV-së ka thënë se kjo ngjarje i ka mësuar që asnjëherë nuk duhet marrë gjërat si të natyrshme.

“Po ashtu edhe në Evropën e sotme duhet të punojmë vazhdimisht që të ndërtojmë këtë Evropë të bashkuar që e nisëm para më shumë se gjysmë shekulli, si pasojë e këtyre ngjarjeve historike. Andaj, thjesht, duhet të vazhdojmë të punojmë dhe pikërisht mendoj unë këtu qëndron fshehtësia e raporteve gjermano-franceze, sepse brenda BE-së ne nuk ndalemi në nivele të caktuara, ne vazhdojmë të punojmë, vazhdojmë të propozojmë iniciativa të reja bilaterale, por po ashtu edhe iniciativa evropiane, sepse shkaku i asaj se çfarë ndodhi para 100 vjetësh, ndajmë përgjegjësi që diçka e tillë të mos ndodhë më kurrë", ka thënë ai.

Krahas tij, diplomati francez, Didier Chabert, ka kujtuar rininë franceze që morri pjesë në luftë duke e vënë në theks kthimin prapa të tyre në shtëpi dhe përbetimin që ajo luftë, po aq absurde sa ishte, do shënonte herën e tyre të fundit që po merrnin pjesë.

"Historianët francezë thanë dikur se dy shtetet hynë në luftë, sepse s’ishin në gjendje të shihnin se kishin nevojë për paqe, sepse ishte periudhë e zhvillimit ekonomik, industrializimit, qasje ndaj arsimimit dhe kjo vërtet ishte gjë e çuditshme, mes tjerash edhe mësuam, sepse Lufta e Parë Botërore, vërtet, na bëri të mendojmë se si të shmangim lufta të tilla në të ardhmen", ka thënë ai.

"Shumë të rinj në Francë morën pjesë në këtë luftë dhe në front kishin parë vrasje masive, andaj kur u kthyen në shtëpi ata thanë se kjo ishte e fundit dhe se kurrë nuk do të merrnin pjesë më në luftë, sepse kjo ishte aq absurde dhe e përgjakshme saqë do të ishte ndoshta lufta e fundit në histori. E, më pas Evropa edhe një herë prapë pati luftë, madje edhe më të tmerrshme".

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme