Arbëri

Taksa ndaj mallrave serbe e boshnjake u vendos pas analizave mes ministrave dhe Kryeministrit

Qeveria e Kosovës nuk do të tërhiqet nga vendimi për vendosjen e masës mbrojtëse prej 10 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Marrëveshja e CEFTA-s është nënshkruar nga UNMIK-u, në vitin 2006, kur Kosova ende nuk ishte shtet, raporton KTV.

Dhe e njëjta, sipas Këshilltarit Politik të Kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshi, duhet të rishikohet.

Por, ideja e Qeverisë kishte qenë më e fuqishme se kaq.

Burime të Kohavisionit brenda Qeverisë kanë thënë se fillimisht ideja e Qeverisë ka qenë që të ketë bllokadë totale, por, në momentet e fundit, kanë ndryshuar rrethanat.

Ministri Behgjet Pacolli ka kundërshtuar kategorikisht këtë bllokadë, duke kërkuar që vendimi të mos ndërlidhet me çështjen e njohjeve.

Bashkimi Evropian e ka quajtur vendimin sinjal të keq për bashkëpunimin rajonal dhe ka kërkuar tërheqjen e tij.

E njëjta kërkesë ishte bërë në maj të këtij viti, nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, dhe gjatë verës nga Ministria e Tregtisë.

Por, në të dyja rastet, ishte hedhur poshtë nga Qeveria, nën arsyetimin se taksa mbrojtëse vendoset vetëm në atë moment kur lidhet me efektet ekonomike.

Derisa, marrëveshja e CEFTA-s nuk mund të rishikohet pa pajtueshmërinë e pjesës më të madhe të vendeve anëtare.

Tentime për t’u larguar nga kjo marrëveshje ishin bërë edhe gjatë vitit 2013 dhe në fillim të këtij viti.