Arbëri

Presidenti Thaçi paralajmëron bisedime të vështira

U përfol shumë takimi i tyre i paralajmëruar në Paris, më 11 nëntor, por, paraprakisht, presidentët Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq do të takohen në Bruksel.

Zyra e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, konfirmoi se takimi do të bëhet ditën e enjte, raporton KTV.

Presidenti Thaçi ka thënë se pret një takim të vështirë dhe se më përpara do të takohej me një dreq, sesa me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq.

Ai e ka vlerësuar të nevojshme përfshirjen e spektrit politik në dialog dhe ka kërkuar që sa më shpejt Kuvendi ta nxjerrë platformën për ekipin dialogues të Kosovës, që të dalin fitues nga ky proces.

Derisa në Beograd është ritheksuar mundësia e anulimit të takimit radhës, shkaku i taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet serbe.

Dyshimet i ka konfirmuar edhe Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, e cila ka akuzuar Prishtinën për mosgatishmëri për vazhdimin e dialogut.

Bërnabiq ka thënë se do të kërkojnë garanci nga Bashkimi Evropian se gjërat do të normalizohen.

Ngjashëm, gjatë ditës, është shprehur edhe Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, sipas të cilit liderët kosovarë janë kundër përparimit të dialogut dhe kompromisit eventual.