Arbëri

Përkujtohen dëshmorët Toni e Mici të rënë në Opterushë të Rahovecit

​Gjaku i dëshmorëve na jep mesazhin se si duhet të ruajmë e kultivojmë frytet e luftës dhe sakrificës së mijëra të rënëve për lirinë e Kosovës.

Kështu u tha në një akademi përkujtimore, në 20-vjetorin e rënies heroike të dëshmorëve të kombit Xhelal Hajda - Toni, Selajdin Mullabazi - Mici, Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti dhe Nezir Imeri, organizuar nën përkujdesjen e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se edhe pas 20 vjet pas rënies së tyre heroike, kujtimi për dëshmorët është ende i freskët, duke shtuar se Toni e Mici ishin ndër luftëtarët më të zot.

“Bëjnë pjesë në luftëtarët më të zot shqiptarë të të gjitha kohërave. Asnjëherë nuk ka pasur beteja luftarake, asnjëherë kur ka pasur detyra të vështira, asnjëherë kur është kërkuar rreziku ose sakrifica më e madhe deri në flijim këta nuk kanë munguar. Fati se janë flijuar së bashku me djem të një treve tjetër të një zone tjetër operative, flet po ashtu për një lidhje të fuqishme që kishte lufta jonë për liri. Në kujtimet e mia për Xhelal Hajdën është se edhe pse ishte i lënduar në këmbë, ai nuk është ndal asnjëherë, pra me i kryer detyrat. Në vend që me pranuar shërimin ose trajtimin mjekësor ose me u largu nga zona e luftës, ai nuk e ka bërë këtë”, tha Haradinaj, raporton Kosovapress.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se nëse shikohet se çfarë është bërë që dy dekada, vërehet se është punuar mjaft, mirëpo nëse merret për bazë amaneti i heronjve, ka shumë punë për të bërë.

“Jam krenar se kam qenë bashkëluftëtar dhe i kam njohur Tonin e Micin që në fillimet e para të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë edhe shumë bashkëluftëtarë që sonte gjenden pikërisht në këtë sallë, të cilët kanë qenë pjesë e asaj historie të lavdishme. Toni e Mici ishin emblema të qytetit të Rahovecit, janë djemtë më të mirë që ka pasur komuna e Rahovecit dhe Republika e Kosovës. Ne jemi krenar për trimërinë e tyre, me veprimtarinë e tyre, nuk ka pasur assesi si të ndodhte ndryshe edhe momenti i rënies së tyre, ata kanë qenë bashkë sa kanë qenë të gjallë, kanë qenë të pandashëm. Në të njëjtën kohë ata kanë ra bashkë në altarin e lirisë”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, përmes një postimi në Facebook, ka përkujtuar heronjtë e kombit, Xhelal Hajdën, Selajdin Mullabazin, Nezir Ymerin, Hamdi Hajrizin dhe Bektesh Hamitin.

Limaj ka thënë se Toni e Mici me bashkëluftëtaret e tyre shquheshin për trimërinë dhe guximin e treguar.

“Me luftën e tyre ata u bënë burim frymëzimi i ushtarëve në çdo betejë. Liria e Kosovës është arritur me gjakun dhe mundin e shumë brezave. I përhershëm qoftë kujtimi për të gjithë dëshmorët e Kombit. Lavdi dëshmoreve të Kombit”, ka shkruar ndër të tjera Limaj në llogarinë e tij në Facebook.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se heronjtë janë dëshmia më e mirë se kjo komunë ishte qëndresë ndaj sulmeve të pushtuesit.

“Gjaku i Tonit dhe Micit, i Hamdiut, Bekteshit dhe Nezirit nuk do të tretet as nuk do të thahet dhe përmendoret dhe statujat e tyre sikur flasin pa nda me ne. Sikur na japin mesazhin se si duhet të ruajmë e kultivojmë e frytet e luftës dhe sakrificës së mijëra të rënëve për lirinë e Kosovës. Dëshmorët nderohen jo vetëm kur i kujtojmë dhe kur ngritim përmendore për ta, por ata na kujtojnë se çka duhet të bëjmë, na kujtojnë se edhe ne duhet të sakrifikojmë për ardhmëri më të mirë”, u shpreh Latifi.

Në emër të familjarëve të dëshmorëve, në këtë akademi përkujtimore ka folur edhe djali i heroit Selajdinit, Ermal Mullabazi.

“Në 20-vjetorin e rënies së tyre, i kujtojmë dhe çmojmë me krenarinë më të madhe këtë grup me krye me dy komandantët legjendarë, babanë tim Selajdin Mullabazin dhe Xhelal Hajdën-Tonin, komandantët që morën mbi supe barrën më të madhe për t’iu kundërvënë armikut për çlirimin e vendit”, tha ai.

Ndryshe, Xhelal Hajda dhe Selajdin Mullabazi ranë heroikisht më 6 nëntor 1998, gjatë betejës me forcat okupatore serbe në Opterushë të Rahovecit.