Arbëri

Llukës i kërkohen sqarime për mundësinë e rritjes së çmimit të rrymës me “Kosovën e Re”

Mundësia e dështimit të njërit prej projekteve më madhore të Kosovës dhe që nuk e ka parë dritën tash e shumë vjet, ka hyrë në diskutimet brenda institucioneve të Kosovës.

Të martën, me këtë projekt, është marrë Komisioni për Zhvillim Ekonomik, ku aty ka raportuar ministri Valdrin Lluka, raporton KTV.

Shqetësim kryesor nga deputetët është ngritur rritja e faturës për energji elektrike, që sipas tyre, në 20 vjetët e parë të operimit të termocentralit nën administrimin e Contour Global, rryma do të rritet për 46 për qind.

Sipas kësaj llogaritjeje, ekonomitë familjare do të dëmtohen nga 5 deri në 7 milionë euro gjatë 20 vjetëve të parë të operimit.

Mundësinë e rritjes së çmimit të rrymës, ministri Valdin Lluka ka thënë se po tentojnë ta balancojnë me investimet në masa efiçiente të energjisë.

Megjithëkëtë, deri tani institucionet në këtë kanë investuar vetëm në objekte publike dhe jo në ekonomitë familjare.

Sipas kontratës, Contour Global, pas pesë vjetëve të parë të prodhimit, ka të drejtën e shitjes së aseteve.

Megjithëkëtë, kjo sipas Llukës, nuk mund të bëhet pa aprovimin e Qeverisë së Kosovës.

Derisa, në prill të vitit të ardhshëm, para se të nisë së ndërtuari termocentrali, projekti do të kalojë në Kuvend të Kosovës.

E në rast se nuk merr shumicën e votave, atëherë Kosova do ta paguajë penalltinë e përcaktuar me kontratë prej 19.7 milionë eurosh.