16:27

Gjykata jep detaje për dënimin e Bujës dhe të tjerëve

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje për rastin e ish-kryetarit të Lipjanit, Shukri Bujës dhe të tjerëve.

Sot Buja u shpall fajtor për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe u dënua me burgim tre vjet.

Nehbi Zeqiri për të njëjtën vepër është dënuar me dy vjet e gjysmë burgim, ndërsa Halit Gashi me gjashtë muaj, por që mund të zëvendësohet me 3500 euro.

Njëjtë si Zeqiri është dënuar edhe E.R., ndërsa i akuzuari H.V. u shpall fajtor për marrje ryshfeti dhe u dënua me burgim pesë muaj.

B.R. u shpall fajtor për keqpërdorim të pozitës dhe u dënua me gjashtë muaj burgim, që mund të zëvendësohet me 3500 euro.

E akuzuara M.S. për keqpërdorim të pozitës, i akuzuari F.R. për veprën penale Punimet ndërtimore të kundërligjshme dhe të akuzuarit D.A. dhe B.K. për keqpërdorim të pozitës u liruan nga akuza.

“Gjykata ka marr aktgjykim refuzues për të akuzuarin SH.B për tri pika të aktakuzës sa i përket veprës penale të kryer në vazhdimësi si dhe në bashkëkryerje Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, për një pikë të aktakuzës sa i përket veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe për veprën penale Ushtrim ndikimi nga neni 345 par.1 të KPK-së, për të akuzuarin N.Z për një pikë të aktakuzës sa i përket veprës penale të kryer në vazhdimësi si dhe në bashkëkryerje Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, për të akuzuarin F.R sa i përket veprës penale Dhënie ryshfeti nga neni 344 par.1 i KPK-së, për shkak se ka ardhur deri te parashkrimi relativ dhe absolut i ndjekjes penale”, thuhet në njoftim.

10:11

Buja thotë se aktgjykimi ndaj tij është i orkestruar nga njerëz të politikës

Shukri Buja pas shpalljes së aktgjykimit ka thënë se ky rast është i orkestruar nga njerëz të politikës duke mos përmendur emra se nga kush konkretisht.

Ai, siç raporton KTV-ja, ka thënë se ndoshta pas këtij vendimi qytetarët e Kosovës mund ta marrin liberalizimin e vizave, megjithëse është shprehur skeptik.

09:46

Shkuri Bujës 3 vjet burgim për keqpërdorim të autoritetit zyrtar

Gjykata ka shpallur fajtor Shukri Bujën, Nehbi Zeqirin e Halit Gashin për keqpërdorim të autoritet zyrtar.

Siç raporton KTV-ja, dënimi me burgim për Shukri Bujën është 3 vjet.

Nehbi Zeqiri u dënua me 2 vjet e gjashtë muaj.

Ndërsa Halit Gashi mori dënim me kohëzgjatje prej 6 muajsh e që mund t’i shndërrohet në gjobë prej 3500 euro.

Buja u akuzua nga prokuroria për keqpërdorim të pozitës zyrtare në lidhje me një memorandum mirëkuptimi të nënshkruar nga Komuna e Lipjanit me kompaninë “NEw Co Feronikel Complex LL. C.”, transmeton Koha.net.

Bashkë me Bujën të akuzuar të këtij procesi janë edhe Nebih Zeqiri e Halit Gashi.

Komuna e Lipjanit në kohën kur drejtohej nga Shukri Buja më 21 mars 2008 kishte nënshkruar memorandum me “NEW Co Feronikel Complex LL. C.” për dhënien me qira kësaj kompanie një ndërtesë të laboratorit në Lipjan.

Sipas aktakuzës, në memorandum ishte përcaktuar që “NEW Co Feronikel Complex LL. C.” të paguajë nga një euro në muaj qira për objektin e laboratorit, ndërsa kompanisë ky laborator i ishte dhënë për 10 vjet.

Me këtë prokuroria pretendon se i është shkaktuar dëm Komunës së Lipjanit.

Ekzekutimi i dënimit ndaj ish-kryetarit të Lipjanit, Shukri Buja, bëhet pasi vendimi bëhet i plotfuqishëm.