Rriten çmimet e ushqimeve e zvogëlohet fuqia blerëse në Kosovë Foto: Ilustrim/Koha

Rriten çmimet e ushqimeve e zvogëlohet fuqia blerëse në Kosovë

03 nëntor 2018 14:20

Qytetarët në këtë periudhë të vitit janë duke blerë më pak produkte ushqimore dhe më pak po marrin shërbime të nevojshme, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Kjo pasi kostoja e shportës familjare për muajin shtator është rritur për 1.4 për qind, dhe këtë ngritje e ka shkaktuar ngritja e çmimeve për produkte ushqimore dhe shërbime tjera jo ushqimore.

Kështu thonë të dhënat e Indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit, të cilat vetë Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk po i shfrytëzon për të kalkuluar koston e shportës familjare.

Nga departamenti i Statistikave Ekonomike të kësaj Agjencie kanë thënë se nuk kanë bërë matje se sa mund t’i kushtojnë një familje në Kosovë shpenzimet mujore.

“Koston mesatare të shportës nuk e kemi pasur dhe nuk e kemi matur ndonjëherë ne si departament dhe as sektori i çmimeve. Të dhënat për peshat e produkteve në kalkulimin e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit janë nga rezultatet e anketës se buxhetit të ekonomive shtëpiake dhe të dhënat e llogarive kombëtare për konsumin privat të ekonomive shtëpiake”, thuhet në një përgjigje të tyre, përcjell KosovaPress.

Por të dhënat e publikuara në Indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit thonë se kjo ngritje e kostos familjare po bëhet për shkak të ngritjes së çmimeve.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 1.4% në muajin shtator 2018, krahasuar me muajin shtator të vitit 2017. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (2.1%); mish (3.1%); qumësht, djathë dhe vezë (3.4%); perime (13.0%); duhan (2.9%); përdorim të pajisjeve për transportin personal (10.6%)-(ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës); shërbime hoteliere (3.2%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2.1 për qind në IHÇK”, thonë të dhënat e IHÇK-së.

E këto të dhëna i ka interpretuar hulumtuesja e Institutit GAP, Nora Jusufi e cila për KosovaPress thotë se fuqia blerëse e konsumatorëve në vendin tonë është zvogëluar.

Sipas saj, nëse një familje për një javë ka blerë në vitin e kaluar gjëra të nevojshme me 50 euro, në këtë periudhë të vitit ato gjëra do i blej me çmim për 70 cent më të lartë.

“Fuqia blerëse është zvogëluar për 1.4 për qind, pra konsumatorët apo familjet do të mund të blejnë 1.4 për qind më pak mallra dhe shërbime nëse paga apo të ardhurat e tyre të përbashkëta për muaj qëndrojnë të njëjta dhe faktorët tjerë mbesin të njëjtë. Nëse një familje themi është furnizuar brenda javës me gjërat e nevojshme me 50 euro në shtator të vitit të kaluar 2017-të, sivjet në shtator i ka kushtuar 50 euro e 70 cent, që ndoshta kështu si shifër nuk duket e madhe, por kur marrim parasysh numra më të mëdhenj barra është më e madhe”, thotë ajo.

Sipas Jusufit rritja e inflacionit për 1.4 për qind për një familje e cila mbijeton me pagën mesatare në Kosovë prej 130 eurosh do të thotë mbulim të vetëm 20 për qind të shpenzimeve mujore.

“Paga minimale në Kosovë është 130 euro, do e marrim skenarin më të keq, nëse vetëm një anëtar i familjes e fiton këtë pagë minimale atëherë kjo familje do të mund t’i mbuloj vetëm 20 për qind të shpenzimeve të cilat kanë dal mesatarisht të jenë 7803 euro...Ky indeks nuk është shumë i qartë nëse e krahasojmë me atë se çfarë konsiderohet si një vend që ka stabilitet të çmimeve deri në 2 për qind inflacioni konsiderohet se është në rregull për shkak se e stimulon konsumin, e jo ruajtjen e parave dhe kur ka konsum atëherë do ketë edhe rritje ekonomike...Kur kemi edhe papunësi prej 30.5 për qind kjo përbënë problem”, shton Jusufi.

Jusufi ka rekomanduar që buxheti i Kosovës të mos fokusohet në skema sociale dhe pensionale, por të ofrohet ndihmë për bizneset me qëllim që të rritet numri i punësimit në sektorin privat, si të stimulohen investitorët e huaj.

Por krahas kësaj në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se së shpejti do fillojnë edhe një analizë rreth shpenzimeve familjare me qëllim që ajo t’i mbulojë nevojat elementare për një familjet me asistencë sociale.

Mentor Morina, ushtrues detyre i drejtorit të politikave familjare në MPMS, thotë se ata nuk kanë një shifër të saktë se sa kushton një shportë familjare për familjet që nuk jetojnë me skemë pensionale.

Sipas tij, edhe shuma që u ndahet familjeve në ndihmë nuk është e mjaftueshme, por që ata ndihmohen përmes programeve të ndryshme.

“Ne përdorim metodën e poentimit e një poene të barabartë me 1.5 euro në këtë rast familje me një anëtar marrin një numër rreth 40 pikëve që do thotë shuma minimale e familjeve në ndihmë sociale është 60 euro, dhe vazhdon diku deri tek familjet që marrin 120 pikë që shumëzuar për vlerën 1.5 është 180 euro për familjen 15 anëtarëshe. Ne e dimë që kjo kosto nuk përfshinë edhe disa shpenzime tjera të nevojshme për familjen siç janë shpenzimet e rrymës, higjienike dhe shpenzimet tjera që i duhen një familje, megjithatë MPMS dhe Qeveria përmes programeve të saj subvencionin këto familje..5’24Nuk kemi një përcaktim të shportës minimale se sa i duhen një familje dy anëtarëshe, pesë anëtarëshe duke përfshirë edhe artikuj tjerë, jo vetëm artikujt ushqimor”, thotë ai.

Por kostoja e shpenzime mujore për familjet kosovare por del të jetë e papërballueshme kur dihen të ardhurat mujore dhe çmimet e larta në treg.

Rritjen e çmimeve të ushqimeve me vështirësi po e përballon familja 17 anëtarëshe e Bislim Ademit.

Ai thotë se krahas të ardhura të vogla me vështirësi po ia del që t’i blej për familjarët e tij gjërat elementare që i duhen.

“Shumë me vështirësi po i kapërcejmë se të ardhurat personale i kam shumë të dobëta, një pension 150 euro a jemi diku 17 anëtar thuajse asnjë nuk punojmë vetëm po ka të ardhura sidomos të vogla, tani edhe artikujt ushqimor, shpenzimet komunale rrymë, bërllok ujë, këto me zor po ia dalim, ma vuajtje nuk di ku me shkua, fukarallëk i madh jo vetëm tek unë por në përgjithësi”, ka shtuar ai.

Beqir Lahi si baba i katër studentëve thotë se mezi i mbulon shpenzimet familjare pa hy në borxhe.

Sipas tij, pa kursyer shumë nuk mund as shpenzimet komunale t’i paguajë.

“Me pagat që i kemi ne sot në Kosovë po ia dalim disi, por vetëm me vështirësi. Unë punoj në ndërmarrjen aksionare komunale “Hortikultura”, pagën mujore e kam 250 euro, tash nuk do kjo shumë koment i kam katër studentë ...Ia dalim nuk dua me u ankua sikurse do që për fat ët mirë më punon edhe shoqja por po ia dalim disi...13;22 Me mund mos me hy borxh disi ia dalim, por duhet me sakrifikua dhe me kursye për me i pagua taksat komunale”, ka thënë ky qytetar.

Ndryshe, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit për shtatorin e muajit shtator në vitin 2017, krahasuar me vitin 2016 ka qenë 1.7 përqind më i lartë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme