Sela: Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe BE është jetik

Sela: Thirrja e Thaçit për të ndërtuar strategji rreth dialogut Kosovë-Serbi, duhej të ishte qasja fillestare

02 November 2018 23:45
23:55

Kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët në Maqedoni, Zijadin Sela, ka thënë se asnjëherë nuk kanë qenë kundër amandamenteve të propozuara nga ta në Qeveri, ani pse ato nga partia e tij nuk janë përfshirë.

Ai në Interaktiv të KTV-së, tha se e kanë përkrahur procesin e anëtarësimit të vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian e ndryshimet kushtetuese, sipas tij, janë parakusht për të ndodhur diçka e tillë.

“Ne insistojmë që bashkërisht me këto ndryshime, të ndodhin edhe ndryshime tjera që plotësojnë nevojat e shqiptarëve në Maqedoni. Në frymën e marrëveshjeve që ka arritur qeveria e re me fqinjët, Aleanca për Shqiptarët, vlerëson se më e rëndësishme është marrëveshja e brendshme mes dy komuniteteve më të mëdha, shqiptarët dhe maqedonasit”, tha ai, transmeton Koha.net.

Ai thotë se tani që u hap Kushtetuta, ata si Aleancë kanë hapur nevojën për ndryshime kushtetuese.

“Është gabim të thuhet që nuk janë marrë parasysh amandamentet tona sepse akoma nuk ka nisur faza ku deputetët parashtrojnë amandamente”, tha Sela duke shtuar se pason periudha 30 ditore ku këto amandamente do të diskutohen në Komisionin Kushtetues dhe atë për çështje juridike në kuadër të parlamentit. Pas kësaj, hapet faza e debatit publik ku përveç deputetëve marrin pjesë edhe sektori civil, intelektualë e shumë të tjerë që janë të interesuar. Pas këtij 30 ditëshi, marrin formë amandamentet finale.

23:50

Preambula e Kushtetutës në Maqedoni në start është diskriminuese, thotë Sela

Zijadin Sela thotë se në ndryshimet Kushtetuese, përveç përfshirjes së gjuhës shqipe, Sela thotë se ka edhe disa tjera elemente. Duke nisur nga preambula e Kushtetutës së Maqedonisë, ka thënë ai.

“Qytetarët e Republikës së Maqedonisë, populli maqedon, si dhe qytetarët tjerë që jetojnë në Republikën e Maqedonisë dhe që janë pjesë e popullit shqiptar, turk, rom, vlleh...”, ka thënë Sela kështu nisë preambula e Kushtetutës së Maqedonisë. Tha se që në start është diskriminuese. Ka shtuar se nuk është Kushtetutë e cila garanton liri dhe të drejta dhe promovon vlera, por që në fjalinë e parë promovon antivlerë.

Maqedonasit, thotë Sela, bëjnë përpjekjet për të ndërtuar një shtet, një nacional të tyre dhe vetëm për ta.

Sela ka thënë se partia e tij do të insistojnë që këto definicione si, “jetojnë, ose kur ndahet një popull nga një tjetër popull”, të hiqen nga Kushtetuta.

“Fjalia të nisë dhe të përfundojë duke u numëruar popujt sipas madhësisë që kanë atje”, tha ai.

Ka thënë se Maqedonia dhe Kushtetuta në Maqedoni gjithnjë problem.

“Maqedonia në vitin 1991 shpalli pavarësinë e saj mbi bazën e heqjes së të drejtave të një të tretës së popullatës shqiptare që ka jetuar dhe është autoktone në Maqedoni”, tha ai.

Sela tha se do të ketë vështirësi t’i shtyjnë përpara këto propozime sepse sipas tij, ka munguar koordinimi mes subjekteve politike shqiptare.

“Ne vlerësojmë se shqiptarët e Maqedonisë janë degë e një trungu të përbashkët shqiptar, dhe në këtë moment që po flasim, Shqipëria është anëtare e NATO-s, NATO është në Kosovë dhe shpresojmë që edhe Kosova të bëhet anëtare e NATO-s, dhe shqiptarët në Maqedoni assesi nuk duhet t’i lejojnë vetes një ndarje të re nga ky trung kombëtar”, tha Sela në Interkativ.

Për qasjen e Ali Ahmetit të BDI-së, në bashkëpunimin mes partive shqiptare në Maqedoni, Sela tha se ai bënë gjithnjë ikje nga përgjegjësia dhe vë veten në shërbim të gjithësecilit që nuk i shkon përshtati. “Ai i ikë edhe debateve me mua”, tha ai.

23:45

Sela: Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe BE është jetik

Zijadin Sela ka thënë se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, përgjegjësia historike, janë jetike për vendin.

“Rruga drejt BE-së poashtu është jetike për shqiptarët në Maqedoni, ashtu siç është jetike gjuha shqipe e të drejtat tjera. Këto dy gjëra nuk mund të kushtëzojnë njëra-tjetrën, përkundrazi plotësojnë njëra-tjetrën. Sa më tepër Maqedonia të jetë vend i drejtë, më pas kokëçarje do të ketë në NATO e BE, sepse këto procese nuk përmbyllen me kaq. Do të ishte më lehtë nëse funksionojmë të unifikuar”, tha Sela.

Sela ka folur është për çështjen e amnistisë së ngjarjes së 27 prillit në Parlament.

“Problemi kryesor në Maqedoni është drejtësia selektive. Proceset e montuara politike që kanë ndodhur në vazhdimësi nga ana e regjimit maqedonas kanë ndodhur vetëm tek shqiptarët. Intensiteti kurrë nuk ka pushuar dhe ka qenë i njëjtë si në Ish-Jugosllavi, si sot. Amnistia është e papranueshme për ne. Nëse dikush guxon ta bëjë atëherë amnistia s’mund ta përfshijë vetëm një ditë, vetëm ca persona. Nëse ndodh, unë do të kërkojë që të gjithë personat që janë të dënuar me të njëjtën cilësi të veprës, ata të përfshihen edhe nga proceset e montuara politike nga viti 2001 e këtej. Sido që të jetë, është shumë zhurmë për asgjë. Nuk besoj që do të ndodhë diçka e tillë pasi është në kundërshtim me politika e Bashkimit Evropian”, tha tutje Sela.

Ai tha se nëse Maqedonia do që ta ndërpres rrugën drejt BE-së, mund ta bëjë ligjin për amnisti.

“Falja do të kishte vetëm një kuptim të ndodh. Marrëveshje midis shqiptarëve dhe maqedonasve”, tha ai.

Sela tha se duhet të ketë komision parlamentar që ka për qëllim të pajtoj shqiptarët dhe maqedonasit, duke u marrë vesh që amandamentet që janë në interes të shqiptarëve të inkorporohen në Kushtetutë.

Sela: Atë që e bëri dje Thaçi duhet të ishte qasja fillestare në çështjen e dialogut

Zijadin Sela, ka folur edhe për çështjet e fundit politike në Kosovë, kryesisht për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë dhe idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve.

“Historia ka qenë e padrejtë me shqiptarët. Ballkani ka qenë jostabil për shkak se i është prishur balanci i forcave në konferencën e Londrës në vitin 1913. Çdo herë paqet në botë janë ndërtuar në bazë të ndërtimit të balancit të forcave. Nëse i sheh popujt e ballkanit, të gjithë janë në mes gjashtë e tetë milionë e nëse s’do të ndodhte prishja e balancit të forcave për llogari të copëtimit të trojeve shqiptare, Ballkani do të ishte shumë i qetë, stabil, i civilizuar dhe tani edhe pjesë e Bashkimit Evropian”, tha ai.

Deklaratën më të mirë e më të mençur të dëgjuar, tha Sela, nga presidenti Hashim Thaçi, ishte deklarata e djeshme që bën thirrje për unifikim me opozitën dhe qeverisjen. “Thirrja që të ulen e të ndërtojnë strategji rreth dialogut me Serbinë. Ndoshta është e vonë, por kurrë nuk është e vonë. Kjo duhet të ishte qasja fillestare e Thaçit sepse këto tema nuk janë objekt e press-konferencash por objekt i konsensusit të brendshëm nacional, gjithë shqiptarë. Pastaj mund të ulen e të gjejnë zgjidhje si dy shtete sovrane. Natyrisht që parakusht për të pasur negociata të tipit të tillë për t’u gjetur një zgjidhje është njohja e Pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Asnjë marrëveshje nuk është e vlefshme nëse nuk ndodh fillimisht kjo njohje”, tha Sela, transmeton Koha.net.

fund, Zijadin Sela tha se shqiptarët kanë shumë territore për të marrë e nuk kanë territore për të humbur.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme