ZKA-ja me hulumtim të tregut konfirmon abuzimet e kompanive farmaceutike me çmimet e barnave

ZKA-ja me hulumtim të tregut konfirmon abuzimet e kompanive farmaceutike me çmimet e barnave

02 November 2018 11:13

Kompanitë farmaceutike në Kosovë përmes “faturave të rreme” për çmimet e barnave kanë tentuar të venë në lajthitje Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Një rast i tillë së fundmi ka ndodhur në tenderin ku ishte planifikuar të blihen në mesin e shumë barnave edhe dy citostatikë (barna për trajtimin e kancerit). Kompania “Lirimed” ka ofruar fatura të rrejshme në Organin Shqyrtues të Prokurimit se si çmimet e citostatikëve cisplatinë e flouracil të cilat i kanë ofruar për MSh janë në përputhje me çmimet e tregut. Por një hulumtim i tregut i bërë nga ZKA-ja ka evidentuar se kompania “Liri Med” i ka çmimet e këtyre produkteve shumë me shtrenjtë se sa çmimi real dhe çmimi i këtyre produkteve në shtetet e rajonit.

“Paneli Shqyrtues sqaron se Ministria e Shëndetësisë ka bërë hulumtimin e tregut për produktet citostatikë dhe është konstatuar se produktet e ofruara nga operatori “Liri Med” për Lot 6 dhe Lot 14 në shtetet e ndryshme si Maqedoni, Kroaci, Slloveni, Bullgari, Danimarkë, Mali i Zi rezultojnë me çmim dukshëm me të ulët në krahasim me çmimet e dhëna nga operatori ‘Liri Med’”, thuhet në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, vendim i cili e ka aprovuar rekomandimin e Ministrisë se Shëndetësisë që ta anulojë këtë tender.

Sipas vendimit të OSHP-së hulumtimi i tregut është bërë me propozim nga ZKA dhe komisioni është përzgjedhur po nga i njëjti institucion. Koha Ditore ka provuar të kontaktojë me pronarin e kompanisë Liri Med, por ai nuk e ka hapur telefonin. “Koha Ditore” vazhdimisht ka raportuar për abuzime me tender.

Bazuar në këto raportime instituti “Columbus” ka bërë një hulumtim të të gjitha kontratave të MSH-së për barna dhe dëmi nga kontratat e blerjeve të pakontrolluara për periudhën 36 mujore ka rezolutar rreth 15 milionë euro. /Saranda Ramaj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme