Lumezi: Për t’i luftuar rreziqet në siguri dhe drejtësi na duhet bashkëpunim rajonal

Lumezi: Për t’i luftuar rreziqet në siguri dhe drejtësi na duhet bashkëpunim rajonal

01 November 2018 13:16

Me ftesë të Kryeprokurorit Suprem të Malit të Zi, Ivica Stankoviq, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, po merr pjesë në konferencën dy ditore të prokurorëve, e cila po mbahet në Budva të Malit të Zi.

Kryeprokurori Lumezi, para të pranishmëve ka mbajtur një fjalë rasti, duke shprehur falënderimin për ftesën dhe mundësinë për të qenë bashkë me homologët nga rajoni.

“Është kënaqësi e veçantë që jemi pjesë e kësaj ngjarje dhe që na është dhënë mundësia për t’u takuar, me homologët e shteteve të rajonit”, tha ai.

“Ne jemi të vetëdijshëm se rreziqet bashkëkohore të sigurisë dhe drejtësisë nuk mund të zgjidhen nga një shtet i vetëm. Për të arritur rezultate na duhet të forcojmë bashkëpunimin rajonal, sepse krimet me të cilat po ballafaqohemi i tejkalojnë kufijtë kombëtar dhe paraqesin rrezik serioz për shtetet tona. Ne sot, jemi vende që pretendojmë të integrohemi në BE dhe patjetër jemi të detyruar në kuptim të plotë të fjalës, t’i aplikojmë standardet me të larta evropiane, me qëllim të ruajtjes së vlerave demokratike dhe sundimit të ligjit dhe respektimit të drejtave të njeriut”, theksoi ai.

Po ashtu, Kryeprokurori Lumezi ka theksuar se, Kosova është e vendosur të kontribuojë në thellimin e bashkëpunimit për të luftuar kundër krimit të organizuar, terrorizmit, pastrimit të parave dhe krimeve trans-nacionale dhe është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha shtetet e rajonit, por edhe me organizatat ndërkombëtare si Interpoli, Europoli dhe Eurogjasti.

“Me pranimin e Kosovës në këto organizata do të jetë me efikase lufta kundër krimit trans-nacional brenda rajonit”, pohoi mes tjerash kreu i Prokurorisë së shtetit të Kosovës.

Kjo konferencë është organizuar nga Prokuroria e Malit të Zi, ku po zhvillohen punimet dy ditore.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme