Arbëri

MPMS kërkon rregullore të veçantë për punësimin e personave me aftësi të kufizuara

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica kërkoi të nxirret një rregullore e veçantë, e cila do të vendoste kritere të veçanta për punësimin e personave me aftësi të kufizuara.

Vet ministri, përmes një statusi në Facebook, tha se qëllimi i kësaj rregulloreje është rritja e punësueshmërisë të personave me aftësi të kufizuara, por në të njëjtën kohë edhe respektim të ligjit që rregullon të drejtat për punësim të kësaj kategorie.

Reçica tha se kërkesa i është adresuar Ministrisë së Administratës Publike, si përgjegjëse për krijimin e politikave për rekrutimin e shërbyesve civilë, që të krijojë një mekanizëm të veçantë për punësim të personave me aftësi të kufizuara, në përputhje me Ligjin për Shërbimin Civil.

“Me këto veprime konkrete, ne si Qeveri do të tregonim gatishmërinë që kjo kategori me nevoja të veçanta të mos mbetet edhe më tej e margjinalizuar nga punësimi, por të jenë pjesë e integruar e shoqërisë me kushte të barabarta jetese dhe të së drejtës në punë. Vetëm nëse këto kategori trajtohen në mënyrë të merituar, atëherë edhe mirëqenia sociale do të jetë në një nivel më të lartë”, theksoi Reçica.

Ndërkaq, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se me ligjin e ri do të rregullojnë çështjen e personave me aftësi të kufizuara dhe komuniteteve, meqë, sipas tij, tani nuk mund të bëhet plotësim-ndryshimi i ligjit.

Kurse kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se tema të tilla duhet të prezantohen të përgatitura mirë në mënyrë që Qeveria të mund të marrë vendim.