Arbëri

Shala: Sezoni dimëror kthen “gjuetinë e KEDS-it” ndaj qytetarëve

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të ankohen për çmimet e larta të rrymës elektrike, nga faturat që u kanë ardhur muajve të fundit.

Ata për emisionin “Ekonomia me Erëzën”, kanë treguar se faturat e rrymës elektrike janë bërë të papërballueshme dhe se ankesat në sportelet e KEDS-it dhe te Zyra e Rregullatorit te Energjisë së Kosovës (ZRRE), janë të kota.

“Tarifat e rrymës janë shumë të larta. Ne nuk po shpenzojmë aq sa po na vijnë faturat dhe kjo situatë është bërë e papërballueshme”, thotë një qytetarë.

“Të larta po vijnë, nuk di çka po bonjë. Sado që ankohemi kjo, po është e kotë”, shprehet një tjetër.

“Me rrymë nuk jemi të kënaqur, se shtrenjtë shumë”, janë shprehur disa nga qytetarët.

Por, përkrah qytetarëve del të jetë Këshilli për Mbrojtjen, Liritë dhe të Drejtat e Njeriut- KMDLNJ. Behxhet Shala udhëheqë i këtij Këshilli, thotë se KEDS-i e ka nisur sezonin dimëror me shtrenjtim të cilën e quan si “gjueti ndaj konsumatorëve të Kosovës”.

“Sezoni dimëror është sezoni i artë i fryrjeve të këtyre tarifave, ku as edhe profesionistët më të mëdhenj nuk do të jenë në gjendje t’i hetojnë vjedhjet që bëhen brenda KEDS. Dhe kjo është koha kur KEDS nis gjuetinë ndaj konsumatorëve të Kosovës”, u shpreh Shala.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala në një intervistë për emisionin “Ekonomia me Erëzën”, arsyetohet se kjo rritje është si pasoj e aplikimit të tarifave dimërore.

“Dihet që jemi në kohën e tarifave dimërore dhe ato janë më shtrenjta se veroret, për shkak të rritjes së konsumit”, ka thënë Buzhala.

Tarifat për energjinë elektrike ndahen në dy sezone. Sezonin dimëror dhe atë veror. Sezoni dimëror fillon nga 1 tetori deri më 31 mars, kurse sezoni veror fillon prej 1 prillit deri më 30 shtator.