Arbëri

Borxhi prej 53 milionësh “Bechtel-Enkas” i paguhet deri në qershorin e 2019-ës

Qeveria ende nuk i ka paguar “Bechtel&Enkas” borxhin prej 53 milionë euro. Pagesa planifikohet të bëhet deri në qershor të vitit të ardhëm. Kështu ka premtuar ministri i Infrastrukturës (MI), Pal Lekaj.

Por sipas Lekaj, pagesa bazë e kontratës është duke u bërë dhe se të gjitha punimet fizike të përfundojnë në këtë vit fiskal.

“Nuk është bërë pagesa e 53 milionëshit, mirëpo pagesa bazë e kontratës është duke u bërë dhe mendoj që në këtë vit fiskal do të përfundojë. Pagesa shtesë prej 53 milionë euro mbetet për vitin e ardhshëm sepse duhet Ligji për Buxhet të miratohet në Kuvend dhe ne do të orientohemi në bazë të ligjit dhe në bazë të obligimeve që i kemi marrë si punëdhënës dhe ndaj ‘Bechtel Enkas’. Është e paraparë që shlyerja e obligimeve ndaj ‘Bechtel&Enkas’ të bëhet deri në qershor të vitit 2019, por të gjitha punimet fizike të përfundojnë në këtë vit fiskal, deri më 31 dhjetor 2018. Prandaj ne jemi në kohë dhe nuk kemi probleme sa i përket vijave buxhetore”, tha Lekaj për Ekonomia Online.

Lekaj që udhëheq me njërin prej dikastereve më të rëndësishme, e ka quajtur këtë vit, si më të suksesshmin në Kosovë sa i përket investimeve, që sipas tij asnjë nga Qeveritë e kaluara nuk ka arritur të fillojë punime në gjashtë autostrada brenda një viti fiskal.

Kurse, ka thënë se edhe punimet për autostradën në Gjilan janë duke vazhduar. Ai shtoi se do të fillojë edhe ndërtimi i një segmenti të ri të rrugës, projekt me mbi 55 milionë euro.

“Ne kemi qenë të kujdesshëm që të mos të prishim politikat makro-fiskale, por që në të njëjtën kohë këtë vit do të fillojë një segment i rrugës Gjakovë-Dollc që e kam premtuar që është po ashtu zgjerim i rrugës që ka ndikim mjaft pozitiv në lidhjen e komunave, por edhe në qasje më të lirë të qytetarëve dhe të fitojnë qytetarët në kohë. Ai projekt është diku 57 milionë euro që duhet të zhvillohet për tri vite. Ne jemi në kohë dhe këtë vit do të fillojmë me këtë segment mjaft të rëndësishëm për qytetarët të Gjakovës, Klinës, Pejës, që i lidh, është një arterie që ka mjaft lidhje me të gjitha komunat. Sa i përket autostradës së Gjilanit, punët janë duke u vazhduar me të gjitha segmentet, 8 kompani janë duke punuar me intensitet dhe sipas parashikimeve. Obligimin buxhetor e kemi kryer për këtë vit dhe mendoj që kjo autostradë do të përfundojë për 30 muaj, duke përfshirë edhe muajin e tashëm dhe ne jemi sipas parashikimeve”, tha ai.

Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj do të qeverisë me vendin deri në përfundim të mandatit katër vjeçar. Edhe pse partia që udhëheq Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AKK) është e gatshme të futet në zgjedhje të parakohshme këtë vit.

Lekaj, nënkryetar i kësaj partie ka thënë për EO se opozita nuk i ka numrat për ta rrëzuar këtë Qeveri, mirëpo se janë të gatshëm çdo herë për të hyrë në zgjedhje të reja.

Megjithëse është shprehur mosbesues ndaj mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, teksa ka dhënë një mesazh për opozitën, që të fle e qetë ngase Qeveria do ta kryejë mandatin katër vjeçar.

“Ne si AAK jemi të gatshëm çdo herë që t’iu përgjigjemi qytetarëve dhe ajo që mund të them nëse opozita i ka numrat, ne si Aleancë jemi të gatshëm. Por një mesazh e kam për opozitën që të flejë e qetë, kjo Qeveri do të kryejë mandatin kushtetues katër vjet dhe mendoj që mirë që aktivizohen. Opozita këtë rol e ka dhe opozita në demokraci është fryma pozitive e mbikëqyrjes së Qeverisë së Kosovës. Mirëpo, më besoni që kot e kanë sepse kjo qeveri do të kryejë mandatin e vet katër vjeçar. Jo që kemi vit zgjedhor, jo që do të ketë vit zgjedhor, jo që kjo Qeveri do ta kryejë mandatin para asaj kushtetuese që e ka, por ne jemi të përgatitur në çdo kohë që të jemi në shërbim të qytetarëve dhe të mirës së Kosovës”, përfundoi Lekaj.