Haradinaj thotë se s’mund të ketë liberalizim vizash përderisa hedhim bërllok gjithandej Foto: ZKM

Haradinaj thotë se s’mund të ketë liberalizim vizash përderisa hedhim bërllok gjithandej

27 tetor 2018 13:05

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në aksionin e pastrimit në kuadër të fushatës “Ta pastrojmë Kosovën”, që sot u zhvillua në Komunën e Gjakovës.

Haradinaj, i shoqëruar nga kryetari i Komunës, Ardian Gjini dhe deputetja Teuta Haxhiu, por edhe nga vullnetarë të shumtë që po marrin pjesë në pastrimin e Kosovës, tha se është mirë që janë në Gjakovë, në vendin i cili ndjenjën dhe vlerësimin për ambientin e ka pasur dhe e ka të lartë, duke falënderuar të gjitha ata që po angazhohen për një Kosovë të pastër.

Po ashtu, kryeministri tha se gjatë vizitës zyrtare në Mal të Zi i ka bërë përshtypje ambienti dhe rrugët e pastra atje.

“Edhe ne si Kosovë duam të hyjmë në garë me fqinjët, të paktën, ndoshta nuk mundemi me disa vende të largëta, për një Kosovë të pastër”, tha kreu i ekzekutivit, duke shtuar se së pari do t’i pastrojmë mbeturinat që janë hedhur për 20 vjet rresht dhe do të kujdesemi për ruajtjen e ambientit të pastër.

Po ashtu, ai tha se qytetarët duhet ta dinë se do të ketë dënime për ata që hedhin mbeturina, dhe do të vazhdohet me pastrimin e të gjitha hapësirave të përbashkëta.

“Ju sigurojë se kemi hyrë në periudhën më kritike për një Kosovë të pastër të cilën do ta ruajmë dhe do ta mbajmë të pastër”, tha kryeministri.

Haradinaj theksoi po ashtu se është në proces formimi i policisë së gjelbër dhe do të kërkohet nga të gjithë që të denoncojnë ata që hedhin mbeturina, duke shtuar se edhe dënimet do të jenë reale dhe nuk do të lejohet edhe më tutje të vazhdojë kjo gjendje.

“Ne po mburremi me tema tjera, se po bëjmë ushtri, se po hyjmë në INTERPOL, kërkojmë liberalizim të vizave, ndërsa vazhdojmë të hedhim mbeturina”, tha Haradinaj.

Koordinatori i “Let's Do It Kosova”, Luan Hasanaj, tha se deri më sot janë larguar 322 deponi ilegale të mbeturinave në Kosovë, janë mbi 150 mijë qytetarë që kanë marrë pjesë në pastrimin e Kosovës, që i bije se gjysma e deponive të mëdha janë larguar, dhe me këtë dinamikë do të vazhdohet në të gjitha komunat e Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Marku30/11/2018 13:12

Paj berllogu ma I madh jane keta vet, kshtu qe mire e ka ky far Kryemadhi...

daja30/10/2018 14:08

Sa thas berllog duhet me mbledh per vizen e zvicres?:)

Shabani02/11/2018 14:42

Mir e ka. Veq duhet me soecifiku vendin ku ka berllog ma shume, ne institucione a ne rruge?! Keni deshtu o mjerana edhe ne familjet e juaja e po doni me rregullu popullin e vendin.

Shto koment

Të ngjashme