Arbëri

Drejtorët e shkollave të jenë profesionistë e jo politikë, thotë Bytyqi

“Inspektorati i Arsimit në Kosovë - Gjendja e tanishme dhe zhvillimi i mëtejshëm”, është tema e diskutimit në punëtorinë dy ditore që po mbahet në Prishtinë, organizuar nga MASHT në bashkëpunim me GIZ-in.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, është shprehur se kjo punëtori është ndër më të rëndësishmet që kur mban këtë post.

Sipas tij, ligji i ri për inspektoratin do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes në arsim.

Po ashtu, ai ka treguar se cilët janë faktorët që ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së arsimit.

“Janë disa faktorë të cilët do të ndikonin direkt që shkollat tona të kenë një standard më të mirë dhe këtë mund ta bëjë faktori njëri. Janë dy institucione kyçe që do të ndikonin në përmirësimin e cilësisë në arsim. Është koha të marrim hapa konkret. Inspektorati i arsimit duhet të luajë një rol kyç në përmirësimin e cilësisë. Për ta arritur këtë, inspektorati duhet të jetë një familje dhe konsideroj se nga ministria deri tek mësuesit duhet të jemi një familje. Ju e keni rolin kyç për këtë mision. Ne e dimë që nuk mund të vijnë rezultatet pozitive menjëherë”, tha ai, përcjell KosovaPress.

Ai me këtë rast ka bërë edhe një zotim për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave.

“E dyta është drejtorët e shkollave. Ata duhet të jenë lider të cilësisë në arsim. Nuk duhet të jenë thjesht drejtor, por duhet të jenë gardian të cilësisë së arsimit. Janë këta dy faktorë të rëndësishëm që do të bëjnë që të arrihet cilësia në arsim. Tek drejtorët jemi të vendosur, ne do të tentojmë që të gjejmë zgjidhje ligjore që drejtorët të jenë profesionist dhe jo politik”, tha ai.