Arbëri

Hoxha: Ne kemi plotësuar kriteret për liberalizim dhe BE-ja tani duhet të kryej pjesën e vet

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka takuar në Strasburg, David McAllisterin, Kryesues i Komisionit për punë të jashtme, siguri, mbrojtje dhe të drejtat e njeriut (AFET), njëherësh raportues pranë Parlamentit Evropian, dhe me këtë rast ka diskutuar për liberalizimin e vizave, njofton kumtesa e ministrisë, transmeton Koha.net.

Hoxha kërkoi përkrahje për liberalizimin e vizave nga McAllisteri, dhe ka theksuar se Kosova ka zbatuar rekomandimet për liberalizimin e vizave, duke zbatuar ato një nga një nga udhërrëfyesi për liberalizim.

Ministrja vlerësoi lartë angazhimin e McAllisterit si dhe të Komisionit AFET, për inkurajimin e procesit të liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës, me theks të veçantë, të arriturat në përmbushjen e kushteve nga udhërrëfyesi. Fushata e filluar rreth liberalizimit, theksoi Ministrja, ka hasur në mirëkuptim tek qytetarët, duke marrë informacionet e duhura për respektimin e procesit si dhe të mirat e lëvizjes së lirë.

Gjithashtu, Hoxha kërkoi nga McAllisteri që të procedohet sipas afateve dhe lëvizja e lirë të mos bëhet pengesë për zhvillimin e Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“Është radha e BE-së të kryej pjesën e vet pasi që ne kemi plotësuar kriteret dhe të dëshmojë se është partner kredibil”, theksoi Ministrja në takim.