Bramertz thotë se Specialja do të vonojë që të sjellë drejtësi për viktimat në Kosovë Foto: Ilustrim

Bramertz thotë se Specialja do të vonojë që të sjellë drejtësi për viktimat në Kosovë

23 tetor 2018 20:22

Kryeprokurori i Mekanizmit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Serge Bramertz, tha sot se nuk e di kur do të paraqiten paditë e para në Gjykatën Speciale për Krimet e pretenduara të Luftës të UÇK-së të kryera në Kosovë.

“E di se viktimat në Kosovë kërkojnë drejtësi, por druaj se kjo do të vonojë”, ka thënë Bramertz për “TV Prva”, i pyetur se a e habit fakti se Gjykata për krime lufte të pretenduara të UÇK-së ende nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë.

Bramertz shtoi se nuk është zëdhënës i kësaj Gjykate dhe ka kujtuar se një prokuror veçse ka dhënë dorëheqje.

“Tash vonë është emëruar i riu, jam takuar me të, ka nisur punën, por nuk e di se kur do të dalin aktakuzat e para. Një gjë mund ta them se bashkëpunojmë në tërësi. Por, varet nga ta se kur do të ngrenë aktakuzat e para”, shtoi ai, transmeton Koha.net.

Kryeprokurori Bramertz ka thënë se është e vështirë të zhvillohen hetime ndërkombëtare, veçanërisht nëse jeni në Hagë, ndërsa do të duhej të ishit në Kosovë.

“Mbrojtja e dëshmitarëve, ruajtja e tyre, sigurimi i dëshmive, e tërë kjo merr shumë kohë”, tha Bramertz.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme