Arbëri

MASHT fton ish-drejtorët të konkurrojnë për pozitat nga të cilat i shkarkoi

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) përmes një letre i ka njoftuar drejtorët e larguar javë më parë nga pozitat e tyre se shumë shpejt do të shpallen konkurset për plotësimin e këtyre pozitave.

Përmes kësaj letre të larguarit janë ftuar të aplikojnë në pozitat të cilat konsiderojnë se i plotësojnë kriteret.

Por, një ditë më parë, drejtorët e larguar i kanë shkruar letër sekretarit të MASHT-it, Ekrem Kastrati ku ja kanë bërë të qartë se Ministria është duke ndjekur procedura joligjore me rastin e hapjes së këtij konkursi, raporton Koha Ditore.

Sipas letrës, miratimi i rregullores së re të MASHT-it për riorganizimin e Ministrisë ka kaluar nëpër një varg shkeljesh ligjore.

Ditë më parë, drejtorët e larguar i kanë shkruar letër edhe kryeministrit, Ramush Haradinaj ku kanë kërkuar të anulohet rregullorja për riorganizim në MASHT.

Rreth 30 drejtorë e udhëheqës të MASHT-it të cilët kanë pasur aktemërim të përhershëm (vend i përhershëm i punës) janë larguar nga pozitat e tyre në fillim të këtij muaji. Një pjesë e tyre janë sistemuar si koordinator ose ushtrues detyre e disa nga ta ende nuk kanë marrë vendim se në çfarë pozitash janë emëruar. Në vend të drejtorëve dhe udhëheqësve të larguar, MASHT-i ka emëruar ushtrues detyre deri në përfundimin e procedurave të rekrutimit.

{gallery}