Arbëri

Haradinaj i thotë Palmerit se Kosova është e paluhatshme në ruajtjen e qenësisë kushtetuese

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka thënë zëvendësndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, se Kosova është e paluhatshme në ruajtjen e realitetit dhe qenësisë kushtetuese, sa i përket marrëveshjes me Serbinë.

Në takim me Palmerin, Haradinaj ka thënë se kanë diskutuar edhe për tranzicionin e FSK-së, për ngrijen e së cilës ka shtuar se roli i Amerikës dhe NATO-s është i pazëvendësueshëm.

“Për fazën finale të Dialogut, Qeveria e Kosovës është e angazhuar për krijimin e një koncepti për unitet të forcave politike dhe ka hartuar Rezolutën përkatëse. Sa i përket arritjes së Marrëveshjes ligjërisht obligative me Serbinë, në kuadër të takimit, theksova qëndrimin e gjithanshëm, se jemi të paluhatshëm në ruajtjen e realitetit dhe qenësisë kushtetuese të Kosovës, që është arritur falë sakrificës së popullit tonë dhe investimit afatgjatë amerikan dhe të aleatëve tanë strategjikë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.