Arbëri

Diskutohet revidimi i listës esenciale të barnave, procesi i kaluar i paqartë

Ndër çështjet më të rëndësishme të secilit vend është revidimi i Listës Esenciale të barnave. Kështu ka vlerësuar Saranda Ramaj, hulumtuese në “Columbus”, që në tryezën “Beteja mes ‘Listës së dëshirave’ dhe nevojave të pacientëve”.

“Sot jemi këtu për të diskutuar se si duhet të bëhet revidimi i listës esenciale. Një nga çështjet më të rëndësishme të secilit vend është revidimi i Listës Esenciale për shkak se kjo përmbush nevojat e pacientëve”, ka thënë Ramaj.

Sipas saj, buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë është rreth 30 milionë euro dhe duhet që 100 për qind të përmbushë nevojat e pacientëve.

“Në vitin 2012 për herë të fundit është bërë revidimi i Listës Esenciale. Gjatë monitorimit, gjetjet e Columbus janë se ky proces nuk është sqaruar mirë nga anëtarët e komitetit”, ka theksuar Ramaj.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka thënë se kjo është një mbledhje e një procesi mjaft të rëndësishëm.

“Ky proces është dashur të fillojë dhe duhet të vazhdojë që të shihet një efekt. Problemet e pacientëve burim e kanë pasur për shkak të mos revidimit të Listës Esenciale”, ka deklaruar ministri Ismaili.

Sipas tij tani ka filluar revidimi i kësaj liste.

“Ne kemi filluar një revidim të Listës Esenciale, në fillim kemi pasur dy vizita të OBSH-së në Kosovë dhe me një fjalë e kanë testuar se sa jemi ne të vendosur të hyjmë në këtë proces. Pas vlerësimit që e kanë bërë kanë filluar të jenë më aktiv dhe na kanë ndihmuar se cilat janë praktikat më të mira për revidimin e Listës Esenciale”, ka shtuar ministri Ismaili.