Arbëri

Vetëvendosje për ‘rastin Maxhuni’ kërkon dorëheqje morale e shkarkime

Lëvizja Vetëvendosje mbajti konferencë për media pas skandalit të publikuar në “Koha Ditore” ku djali i drejtorit të AKI-së, Shpend Maxhunit është arrestuar sepse i ishte gjetur armë dhe narkotikë.

Deputeti dhe anëtari i Kryesisë, Rexhep Selimi denoncoi përpjekjen e institucioneve të sigurisë për të fshehur të vërtetën për këtë rast.

“Ne dyshojmë, e qytetarët janë të sigurt, se bëhet fjalë për privilegjim të të afërmve të njerëzve që kanë kapur majat e institucioneve tona shtetërore. Më e rëndë sesa arrestimi dhe fajësia e djalit të Maxhunit është tentativa e institucioneve të drejtësisë dhe të sigurisë për ta mbuluar të vërtetën. Shpërputhja mes deklaratave të prokurorisë dhe të policisë për rastin ‘Maxhuni’ janë prova se ka patur tashmë ndërhyrje nga lartë për ta deformuar ngjarjen”, ka thënë Selimi, raporton Koha.net.

Armë e drogë në veturën e babait të shefit të AKI-së, i dyshuar djali i tij

Deputeti i VV-së tha më tej se emërimet e “Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ai skandaloz i Drejtorit të AKI-së dhe drejtimi i Prokurorisë nga një kryeprokuror si Lumnezi” janë bërë pikërisht “duke pasur në mendje nevojën e ndërhyrjeve nga sipër për raste të tilla dhe jo garantimin e sigurisë dhe drejtësisë për qytetarët”.

“Dorëheqja, apo në mungesë të përgjegjësisë morale, shkarkimi i drejtuesve të tillë të institucioneve të sigurisë, do të ishte hapi i parë drejt reformës shumë të nevojshme ne drejtësi dhe në organet e sigurisë në Kosovë”, tha deputeti Selimi.

Në këtë situatë të rëndë, siç e quajti deputeti i VV-së, reformat janë të domosdoshme jo vetëm për institucionet e drejtësisë, por edhe për ato të sigurisë.

Pas interesimit të Kohës Ditore, Policia dorëzoi në Prokurori kallëzimin për armët e drogën në veturën e babait të shefit të AKI-së

“Vlen të rikujtohet procesi i Vetting-ut për Policinë para disa viteve, ku shumë udhëheqës të institucionit arbitrarisht vendosën të mos e kalonin atë proces, mes tyre edhe Drejtori aktual i AKI-së, Shpend Maxhuni. Prandaj, është i domosdoshëm një vetting i hollësishëm për të gjitha institucionet e sigurisë dhe drejtuesit e tyre, në mënyrë që udhëheqja e këtyre institucioneve të mos degradojë në një qoshk prej të cilit nuk mund të të hetojnë për krim dhe korrupsion”, deklaroi zyrtari i VV-së.

Ai theksoi se qytetarët e Kosovës aktualisht jetojnë në një ambient të pasigurt, “jo sepse është jashtë kontrollit, por përkundrazi, sepse është totalisht brenda kontrollit. Jo brenda kontrollit të institucioneve të sigurisë, por nën kontrollin e grupeve mafioze, qoftë brenda, qoftë jashtë institucioneve të shtetit”.