Arbëri

VV-ja është duke përgatitur Projektligjin për dokumentimin e krimeve të luftës

Lëvizja Vetëvendosje është në përgatitje të Projektligjit i cili do t’i dokumentojë krimet e Serbisë gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu, ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se është fatkeqësi dhe gabim i madh që asnjëherë nuk ka pasur të dhëna zyrtare sa u përket krimeve që Serbia i ka kryer në Kosovë.

“Nuk e kuptoj se si kanë mundur këta njerëz që kanë drejtuar institucionet në Kosovë të mos e ndërmarrin asnjëherë këtë veprim. Ka shumë vende ku krimet i kanë të dokumentuara edhe në faqet e tyre zyrtare. Për neve është e papranueshme që nuk kanë ndërmarrë asgjë në këtë drejtim”, ka deklaruar Haxhiu.

Haxhiu theksoi se ka pasur shumë organizata të shoqërisë civile vendore dhe ndërkombëtare që kanë dhënë informacione për krimet, masakrat dhe dëmet e tjera të Serbisë në Kosovë.

“Prandaj, kemi konsideruar që të kemi një projektligj të tillë, jemi në fazat fillestare, por po ashtu kjo vjen edhe pas mbylljes së institutit për krime të luftës që ekziston në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Ky institut nuk ekziston dhe pa asnjë shpjegim është mbyllur”, ka shtuar ajo.

Haxhiu vlerëson se në këtë drejtim do të duhej që të ekzistojë një ligj edhe për një institut të ri që do ta fuqizonte atë, por edhe për muzeun e krimeve të luftës.

“Të gjitha këto jemi duke i diskutuar në strukturat e Vetëvendosjes për shkak se ne duhet të ndërmarrim veprime për ta dokumentuar atë që Serbia e ka bërë në Kosovë”.

Vetëvendosje po insiston edhe në miratimin e Projektligjit për Hetim Parlamentar, i cili, sipas tyre, nuk përmban nene që janë në kundërshtim me Kushtetutën.

Ky projektligj është shqyrtuar në vazhdimin e seancës plenare të premten, por është kundërshtuar nga disa deputetë të PDK-së me arsyetimin se disa prej neneve të këtij projektligji janë kundërkushtetuese.

“Në këtë projektligj në rrethana normale natyrisht që do ta përkrahnim si të tillë dhe ajo që është bërë debat në Komisionin për Legjislacion ka të bëjë vetë me raportin e Prokurorisë me Komisionin Hetimor Parlamentar”.

“Pra, kur një Komision Hetimor Parlamentar e përfundon punën e tij, ai ia dërgon atë raport përfundimtar me rekomandime Prokurorisë dhe në këtë rast Prokuroria obligohet që ta njoftojë Kuvendin se ku kanë shkuar punët me rastin konkret”.

Haxhiu thotë se ata që vlerësojnë se ky projektligj nuk është në përputhje me Kushtetutën janë të njëjtit që, sipas saj, kanë kapur sistemin e drejtësisë.

“Janë pikërisht ata të cilët e kanë kapur sistemin e drejtësisë dhe tash japin mendime të tilla që kinse në këtë projektligj po ekzistoka diçka që është në shpërputhje me Kushtetutën”, përfundoi ai.