Në BQK thonë se ekonomia po shënon përmirësim, do të rritet në 4.4 përqind

Në BQK thonë se ekonomia po shënon përmirësim, do të rritet në 4.4 përqind

21 tetor 2018 08:15

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka njoftuar se sipas projeksioneve të saj, prospektet për rritje ekonomike të Kosovës në vitin 2018 janë pozitive, me ç’rast ekonomia pritet të shënojë një përmirësim të lehtë krahasuar me vitin 2017, duke u luhaturnë një interval prej 4.2 përqind në 4.4 përqind.

“Ky përmirësim i atribuohet stimulit të përforcuar fiskal gjatë vitit 2018, veçanërisht atij të gjeneruar nga shpenzimet kapitale të qeverisë”, thuhet në raportin e Stabilitetit Financiar të BQK-së.

Sipas BQK-së remitencat dhe aktiviteti kredidhënës, edhe gjatë vitit 2018, pritet të jenë burime të qëndrueshme për financimin e aktivitetit ekonomik dhe se ambienti i jashtëm pritet të jetë favorizues për bilancin tregtar, bazuar në rishikimin për lartë të aktivitetit ekonomik në vendet partnere tregtare të Kosovës.

“Performanca financiare e sektorit të ndërmarrjeve është përmirësuar, duke u reflektuar në përmirësim të cilësisë së kredisë nga ky sektor. Performanca më e mirë financiare ka ndikuar, në njërën anë, në rritjen e kërkesës për kredi, ndërsa në anën tjetër, përmirësimi i vazhdueshëm i faktorëve strukturor dhe kushteve për qasje në financa, kanë mundësuar rritjen e ofertës për kredi ndaj sektorit të ndërmarrjeve. Kredia e re për ndërmarrjet nga sektori bankar është rritur për 35 përqind, që shënon rritjen më të lartë në shtatë vitet e fundit. Ndërmarrjet kanë vazhduar gjithashtu me rritjen e financimit nga burimet e jashtme, me ç ‘rast borxhi i jashtëm arriti pjesëmarrjen në 21.1 përqind të gjithsej borxhit të ndërmarrjeve”, thuhet në raportin e Stabilitetit Financiar të BQK-së, raporton televizioni publik.

Sipas BQK-së rritja e gjithsej borxhit të ndërmarrjeve ka kontribuar në thellimin e borxhit të ndërmarrjeve në 32.9 përqind ndaj BPV-së dhe përafrimin drejt vendeve të rajonit.

“Ndërmarrjet nuk kanë ekspozim direkt ndaj ndryshimeve në kursin valutor si rezultat i pozicionit tejet të ulët në valutë të huaj. Sidoqoftë, ndryshimet në valutë mund të ndikojnë aktivitetin afarist, sidomos të ndërmarrjeve tregtare”, thuhet tutje në raportin e Stabilitetit Financiar të BQK-së.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme