Arbëri

Nis së zbatuari marrëveshja e banorëve të Hades e Shipitullës me KEK-un

Tashmë Shipitulla është e zbrazur nga banorët dhe KEK-u është në procedurë të bartjes së këtyre parcelave në pronësi të tij.

Zëdhënësi i kësaj korporate, Skënder Bucolli, ka thënë se janë duke e shqyrtuar ankesën e vetme që e kanë derisa të vazhdojnë me procedura të mëtutjeshme, raporton KTV.

Sipas tij, banorët e tjerë të fshatit Shipitullë, Hade, Sibovc, kanë qenë të kënaqur me ofertat.

Por, ndonëse ka nënshkruar kontratën për kompensim nga KEK-u, Qenan Mirena, ish-banor në Lagjen Mirena, të fshatit Shipitullë, po ankohet se kjo korporatë nuk e ka bërë kompensimin e pasurisë.

Ai është shpërngulur për të jetuar në Fushë Kosovë dhe thotë se sipas kontratës, KEK-u është dashur që edhe qiranë e banimit t’ua heqë, porse kjo nuk po ndodh.

Si proces që po ec mirë, e ka vlerësuar ministri i mjedisit, Fatmir Matoshi, zhvendosjen e banorëve të Shipitullës.

Ndryshe, në fshatin Shipitullë, ishin ndërtuar 150 shtëpi, të cilat e kanë vonuar procesin e shpronësimit.