Turqia e përkrah anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, thotë Haradinaj

Turqia e përkrah anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, thotë Haradinaj

20 tetor 2018 10:30

Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Republikës së Turqisë janë të mira dhe këtë frymë mirëkuptimi të ndërsjellë do ta vazhdojmë edhe në të ardhmen. Republika e Turqisë do të ketë një rol të veçantë në përkrahje të Kosovës për anëtarësimin në INTERPOL dhe organizata tjera ndërkombëtare si dhe në shtimin e njohjeve të reja për Kosovën.

Kështu u shpreh sot kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu.

LEXO EDHE KËTË: Dy kërkesa nga Çavusoglu, mbyllja e shkollave dhe ekstradimi i të lidhurve me Gylenin

Duke vlerësuar bashkëpunimin e mirë që ka Kosova me Republikën e Turqisë, kryeministri Haradinaj tha se Turqia është dhe vazhdon të mbetet partner strategjik në fushën e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe të sigurisë.

Haradinaj, thuhet në njoftim, e ka njoftuar ministrin Çavusoglu për zhvillimet e fundit në Kosovë, për progresin e Kosovës në rrugën euroatlantike, rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata të rëndësishme ndërkombëtare si dhe për angazhimin e Qeverisë në zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, liberalizimin e vizave si dhe për procesin e njohjeve.

“E ka falënderuar ministrin Çavusoglu për mbështetjen që ka dhënë dhe po vazhdon të jep Turqia në forcimin e shtetësisë së Kosovës dhe subjektivitetit ndërkombëtar”, thuhet në komunikatë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, thuhet tutje në komunikatën e kryeministrisë, ka konfirmuar angazhimin e shtetit të tij për proceset zhvillimore në Kosovë, për mbështetjen e Kosovës në rrugën euroatlantike dhe për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

Në takim, po ashtu është biseduar edhe për rolin e komunitetit turk në institucionet e vendit dhe shtendërtimin e Kosovës, për të cilën kryeministri Haradinaj tha se të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë kanë të drejta të afirmuara, poashtu edhe komuniteti turk është i përfaqësuar në të gjitha institucionet e Kosovës.

Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtëm, Behgjet Pacolli, ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar, ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demir dhe ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme