Arbëri

“Më shumë zëvendësministra sesa inspektorë”

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shpreh shqetësimin e tyre lidhur me numrin e vogël të inspektorëve. Sipas tyre, numri i inspektorëve është i vogël dhe se nuk po punohet në këtë drejtim.

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi tha se duhet të bëhet një reformë brenda inspektoratit meqë aty ka nevojë për kuadro profesional.

“Konsiderojmë që duhet të bëhet një reformim brenda inspektoratit sepse ka nevojë për kuadër profesional i cili vërtetë mund ta kryejë inspektimin në bazë ligjore dhe ta ndryshojë gjendjen sidomos në realizimin e të drejtave të punëtorëve që sot shkelen drastikisht, sidomos në pjesën e ekonomisë informale, dhe po ashtu kemi edhe raste drastike të vdekjeve, lëndimeve trupore, dhe pa ndonjë llogari-dhënie të drejtpërdrejt, e që ky inspektorat punën e vet do të pamundësonte, do të korrigjonte veprimet që dëmtojnë shëndetin e punëtorëve dhe jetën tyre”, tha ai.

Ddeputeti Milam Zeka foli për gjendjen e keqe të punëtorëve në Kosovë, duke përmendur disa kategori të punëtorëve që janë të diskriminuar, e për të cilët Inspektorati nuk ka ndërmarrë asgjë.

Ai tha se punëtorët në sektori në shëndetësisë ka raste që punojnë 24 orë dhe nuk paguhen shtesë. Sipas tij, njëjtë veprohet me policinë, gazetarët e taksistët, transmeton kp.

Deputetja nga PSD, Besa Baftiu tha se ka nevojë urgjente për rritje të numrit të inspektorëve.

“Shtohet pyetja si do të rritet numri i inspektorëve pa buxhet. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është arsyetuar se do të rrisë numrin e inspektorëve përmes riorganizimit të brendshëm dhe kostos shtesë financiare në kategoritë e tjera të shpenzimeve, kjo mbetët të shihet në të ardhmen sepse deri më tani nuk ka ndodh një gjë e tillë, nuk e kemi pas numri ne rritjes së inspektoreve. Sot në Kosovë më shumë kemi zëvendësministra sesa inspektorë, në mungesë të tyre është e pamundur të inspektohen veprimtaritë punuese. Sot në vendin e punës jo vetëm që shkelën të drejtat e punëtorëve të përcaktuara me ligj por shumë herë kushtet e punës janë edhe shkaktarë humbjes së jetës së punëtorëve”, tha ajo.

Deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu kërkoi nga gjykatat që rastet e punëtorëve të trajnohen me prioritet.

“Shumë punëtore hezitojnë të bëjnë ankesa për shkeljen e të drejtave nga kompani të ndryshme, sepse kjo vjen në përfundim se ata përveç që humbin vendin e punës, edhe ashtu do të mbesin pa ato shumë paga, sepse e dimë që në sektorin privat edhe nuk paguhen me rregull, ata nuk do të vijnë kurrë para një drejtësie. Këtu kisha bërë kërkesë të veçante për gjykatat, të nxjerrin një plan pune që ankesat e punës të shqyrtohen me prioritet”, tha ajo.

Sipas deputetit nga Nisma Socialdemokrate, Enver Hotit, në administratë duhet të ndodh një reformë.