Arbëri

Nis sot seksioni detar i TAP-it i gjatë 105 km, thellësi deri 810 metra

Në Seman, Fier nisin sot punimet për ndërtimin e seksionit detar të Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), me gjatësi 105 km. Ky seksion do të lidhë segmentin shqiptar të TAP me atë italian.

Tubat do të shtrihen në shtratin e Adriatikut, ku pika më e thellë e tubacionit do të jetë më shumë se 810 metra nën sipërfaqen e detit. Afërsisht 10 anije do të merren me ndërtimin e seksionit detar; dy anije do përdoren për shtrimin e tubacionit dhe anije të veçanta për drenazhimin, furnizim me tuba dhe punime të tjera.

Për shtrirjen e tubave në ujëra të thella do të përdoret një anije shtrimi gjysmë e zhytur në ujë. Do të përdoren rreth 9 mijë tuba, me peshë të përafërt 100 mijë ton. Për ndërtimin dhe mbrojtjen e tubacionit, TAP po përdor standardet më të larta të industrisë.