Arbëri

Projektligji për referendumin përplas Haxhiun dhe Krasniqin, përmendet edhe SHIK-u

Komisioni për Legjislacion ka diskutuar gjatë ditës së sotme Projektligjin për referendumin.

Kjo pikë e rendit të ditës ka përplasur kryetaren e Komisionit, Albulena Haxhiu, dhe deputetin e PSD-së, Frashër Krasniqi, rreth asaj se kush është hartuesi i këtij projektligji. Vetëvendosje e akuzon PSD që e kanë dorëzuar projektligjin e tyre.

Kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, ka thënë se problemet me draftin janë shumë të mëdha.

"E drejta e referendumit është e drejtë e pakontestueshme dhe është dashur që Kosova ta ketë shumë moti. Problemet me këtë draft janë jashtëzakonisht të mëdha. Ky ka qenë draft që ne ia kemi dhënë aktivistëve për të dhënë vërejtje dhe komente. Pra, është drafti fillestar. Ka çështje që kanë mbetur si komente. Në të ka shumë probleme. Është gabim që Kosova nuk ka referendum ku qytetarët do të duhej të vendosin për demarkacionin. Unë kam shumë vërejtje dhe janë përmbajtësore".

Për këtë ka reaguar deputeti i PSD, Frashër Krasniqi, i cili ka thënë se problem për Vetëvendosjen është çdo nismë e mirë që nuk është e tyre.

"Çdo ligj që procedohet në Kuvend e ka kohën që rregullohet. Pjesa më e rëndësishme është që ky ligj të futet në komision. E di që është problem për vv që çdo nismë e morë që nuk është e tyre është problem. Ka qenë punë e deputetit Faton Topalli sa kemi qenë në VV. Ka mangësi ky ligj, mirëpo për mua çështja është që a ta kemi një ligj për referendum, pasi që po themi duhet ta kemi këtë ligj. Propozoj që ligji të miratohet në Kuvend", tha ai.

Lexo edhe: Ymeri thotë se LDK-ja e VV-ja nuk po duan rrëzimin e qeverisë

Aliu i përgjigjet Ymerit

Thellohet përplasja PSD-VV, reagon edhe Frashër Krasniqi

 

Kryetarja e komisionit Albulena Haxhiu, ka reaguar duke thënë se asnjë shkronjë nuk është shkruar nga deputeti Faton Topalli.

"Do të ishim ndjerë mirë që nëse do të na kishit konsultuar ose do t’i ndryshonte ato problemet. Po ta garantoj që asnjë shkronjë në këtë projektligj nuk e ka shkruar Faton Topalli”, tha Haxhiu.

Përsëri ka reaguar deputeti i PSD-së duke thënë se ligji është bërë nga Faton Topalli dhe Shqipe Pantina.

"Ky draft nuk është bërë fare as nga VV, , ky draft është bërë nga një grup ekspertësh dhe është bërë në kontakt me Faton Topalli. Është përkthyer nga deputetja Shqipe Pantina. Pjesa përmbajtësore është bërë në koordinim të Faton Topallit dhe ekspertëve. Unë jam i sigurt se sot PSD me dal me thënë po e bëjmë bashkimin kombëtar, VV do të dal dhe do të thotë jam kundër. Lerëni inatin partiak por ta bëjmë ligjin për referendumin", tha ai.

Deputeti i VV-së,Sami Kurteshi, ka thënë se ligji ka shumë probleme.

"Krejt fajet i ka ShIK. Në parim një ligj për referendumin është i nevojshëm. Nuk po dëshiroj të merrem me emra, teksti si i tillë qysh është dorëzuar ka mangësi aq shumë të mëdha sa mundet me qenë që kërkon ndryshim shumë të madh", tha ai.

Përmendja e SHIKut nga deputeti Sami Kurteshi ka bërë që deputeti Hajdar Beqa të thotë se edhe ai kur është bërë Avokat i Popullit është folur se e ka bërë SHIK-u.

"Po lëshohemi në debate jo Albulena, jo Fatoni, jo Shqipja, SHIK-un po e përmend Samia. Edhe kur u krijua VV thoshin e ka bërë SHIK-u , kur u bë Samia Avokat i Popullit thoshin e bëri SHIK-u. Pajtohem edhe për vërejtjet që u përmenden, si ide është shumë e mirë. Por ka nevojë për ndryshime. Në këtë ligj mendoj se ka nevojë më shumë ndryshime sesa 40 për qind. Propozoj që të merret si nismë e komisionit dhe nëse hjek dorë sponsorizuesi", tha ai.

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demalija, ka thënë se duhet të ketë një bashkim të të gjithëve për këtë ligj, ndërsa deputeti Korab Sejdiu, ka thënë se do të abstenojë për këtë projektligj pasi që ka shumë gabime.

Projektligji për referendumin është votuar nga shtatë deputetë, një ka abstenuar abstenim ndërsa Igor Simiq nga Lista Serbe nuk ka marrë pjesë në votim.