Arbëri

Fajon: Kosovës i duhen vite për liberalizim të vizave nëse s’e miraton demarkacionin

Kosovës do t’i duhen vite të tëra për liberalizimin nëse nuk e miraton në Kuvend demarkacionin me Malin e Zi.

Paralajmërimin e ka bërë në një intervistë për Interaktiv, raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Tanja Fajon. Ajo ka thënë se ky mbetet kushti i vetëm i papërmbushur për liberalizimin. E, nëse miratimi ndodh, vendit mund t’i duhet edhe një vit tjetër për të nisur lëvizjen e lirë në Shëngen në praktikë.

“Kushtet për liberalizimin janë dakorduar nga të dyja palët, qeveria dhe Komisioni. Përderisa jemi në këtë pozicion, dua ta ritheksoj se ne si politikanë duhet ta kuptojmë cili është qëllimi ynë kryesor. E ky është që t’u shërbejmë qytetarëve. Liberalizimi i vizave në shtetet e Ballkanit Perëndimor ka sjellë progres të madh në kuptimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik dhe në kontaktet mes njerëzve. U ka hapur mundësi të rinjve. Dhe, këtu unë si euro-parlamentare besoj fuqishëm pse duhet të bashkëpunojmë”, ka thënë Fajon, përcjell Koha.net. “E kuptoj kompleksitetin e çështjes së kufirit dhe unë nuk mund ta zgjidh këtë. Por unë shpresoj që Qeveria dhe Parlamenti do të binden për miratimin në mënyrë që të mos humben edhe shumë vite të tjera dhe të sjellin rezultate të prekshme për qytetarët. E kemi mësuar leksionin në rajon se asnjë shtet nuk mund të bëhet pjesë e BE-së pa i zgjidhur kufijtë”, ka thënë më tej ajo.

Intervistën e plotë mund ta ndiqni sonte në “Interaktiv” në orën 23:20.