Arbëri

Qeveria s’merret me drejtorët e larguar nga puna në MASHT

Nga viti 2007, Isni Kryeziu kishte punuar si drejtor i Departamentit Ligjor në Ministrinë e Arsimit.

Por që nga ky muaj, Kryeziut i është ndërruar kjo pozitë me atë të koordinatorit, por pa ditur saktësisht se çfarë pune do të kryejë brenda ministrisë, raporton KTV.

Ndryshimet janë bërë bazuar në rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës, por që e njëjta, sipas Kryeziut dhe punëtorëve të tjerë, është e paligjshme.

Për këtë, ata të hënën i janë drejtuar edhe kryeministrit Ramush Haradinaj.

Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se tema është specifikë e ministrisë dhe çfarëdo rregullore që miratohet nga qeveria, përgjegjëse është ministria e linjës.

Por, zyrtarë të ministrisë nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës.

Rreth 32 drejtorë e udhëheqës të MASHT-it, të cilët kanë pasur vend të përhershëm të punës, janë larguar nga pozitat e tyre në ministrinë që udhëhiqet nga Nisma e Fatmir Limajt.

Një pjesë e tyre janë sistemuar si koordinatorë ose ushtrues detyre, e disa nga ta ende nuk kanë marrë vendim se në çfarë pozitash janë emëruar.

Në vend të tyre, MASHT-i ka emëruar ushtrues detyre deri në përfundimin e procedurave të rekrutimit.