Arbëri

Kryeakademiku Daci publikon librin “Lindja e vështirë e shtetësisë së Kosovës”

Në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, është promovuar libri “Lindja e vështirë e shtetësisë së Kosovës”, i autorit Nexhat Daci.

Recensenti i librit, Arsim Bajrami ka thënë se vet emërtimi i librit tregon vështirësitë në cilat ka kaluar Kosova.

Sipas tij, autori i librit ka pasur rol kyç në proceset e shtet ndërtimit të Kosovës.

“Për veç përmbajtjes se këtij libri, është se autori i librit ka dhënë një kontribut gjatë bartjes së kompetencave nga ndërkombëtarët tek vendorët. Libri ka një rëndësi të madhe veçmas për gjeneratat e reja”, theksoi Bajrami.

Profesoresha Xhuljeta Mushkolaj theksoi se ky botim pasqyron ngjarjet me të rëndësishme për hapat e parë të demokracisë në Kosovë.

Kryetar i ASHAK dhe autori i librit, Nexhat Daci theksoi se klasa politike në parlament pas lufte ka qenë aq intelektualë sa që ka qenë kënaqësi të punohet me GP të LDK dhe PDK, ndërsa ndodhitë e kuvendit të sotëm janë të turpshme.

“Nga akademia duhet të shkojnë porositë të punohet për shtetësi të plotë. Si është e mundur që krejt koha të shkojë se kur po e rrëzojmë qeverinë dhe presidentin”, theksoi Daci.

Akademia sipas tij e ka vetëm një kërkesë për krerët e shtetit- të shkojnë në seanca parlamentare , sepse paguhen më së shumti. Ai tha se nuk duhet vepruar “nuk ia bëjë kuorumin këtij e atij”.