Arbëri

15 vjeçja nga Lipjani që u shpall e zhdukur lajmërohet nga Prishtina, shqetësime për martesat e hershme

Të shtunën e kaluar, një 15-vjeçare nga Medveci i Lipjanit kishte ikur nga shtëpia pa i treguar askujt.

Një ditë më pas, prindërit e saj, që i takojnë komunitetit ashkali, e kishin paraqitur rastin në polici, raporton KTV.

Ajo është lajmëruar te familja e saj 4 ditë më vonë.

KTV-ja ka kontaktuar me prindërit e vajzës që për katër ditë ishte konsideruar si e zhdukur. Ata nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, por e rëndësishme për ta ka qenë që është ajo është lajmëruar dhe presin që të kthehet në shtëpi.

Megjithatë, kthimi i saj nuk do të ndodhë, siç presin familjarët e saj. 15-vjeçarja i ka thënë Policisë se ajo ka vendosur të bashkëjetojë me personin, me të cilin ka qenë gjatë atyre ditëve.

“Pas intervistimit (në prani të punëtorit të Qendrës për Punë Sociale) është kuptuar se ajo ka vënë kontakt me një djalë nga Prishtina, me të cilin ka vendosur të bashkëjetojë. Rasti më tutje është nën hetim deri në ndriçimin e plotë të rrethanave”, ka thënë Agron Borovci, zëdhënës i Policisë së Kosovës, për Rajonin e Prishtinës.

Shpresa Agushi, nga Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase të Kosovës, përmend disa prej pasojave të një martese të hershme, si braktisja e shkollimit dhe pamundësia për t’u pavarësuar.

Megjithëse mendohet se numri është më i lartë, të deklaruara si martesa të hershme regjistrohen rreth 100 në vit, e gjysma e tyre vijnë nga komunitetet pakicë.

Jeta e izoluar që bëjnë komunitetet në Kosovë, sipas Luljeta Demollit nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, është një prej shkaqeve që çojnë në veprime të tilla.

Të miturit mbi moshën 16-vjeçare në Kosovë mund të martohen me leje të Gjykatës, nëse vlerësohet se personi ka arritur pjekurinë e nevojshme fizike dhe psikike.


15 vjeçja nga Lipjani që u shpall e zhdukur... by kohanet