Arbëri

Deputetja e LDK-së kërkon llogari nga MASHT-i për dhënien e 30 mijë eurove institutit të anëtarit të Nismës

Deputetja e LDK-së, njëherësh anëtare e Komisionit Parlamentar për Arsim, Valentina Bunjaku Rexhepi, ka shtruar disa pyetje për Ministrinë e Arsimit në lidhje me disa parregullsi që ajo i ka radhitur.

Bunjaku-Rexhepi kërkon llogaridhënie nga MASHT-i për largimin e drejtorëve të departamenteve dhe divizioneve brenda Ministrisë, por edhe për trajnimin për 35 zyrtarë të MASHT-it, trajnim ky i organizuar nga një institut i një anëtari të partisë Nisma Socialdemokrate, parti nga e cila vjen edhe vet ministri Shyqiri Bytyqi, raporton Koha.net.

Për këtë të fundit ka raportuar edhe “Koha Ditore” në numrin e sotëm.

Më poshtë ju sjellim të plotë reagimin e deputetes së LDK-së, Bunjaku-Rexhepi.

Pyetje dhe llogaridhënie për MASHT-in

Ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë duhet t'i përgjigjet këtyre pyetjeve dhe të jap llogaridhënie:

1) Pse i largoi drejtorët e departamenteve dhe divizioneve të MASHT-it dhe kush merr përgjegjësi për humbjet financiare nëse ministria e humb padinë që kanë paralajmëruar drejtorët e larguar dhe të degraduar në postet e tyre brenda MASHT-it?

2) Pse mbi 30 mijë euro u dhanë për trajnimin treditor për 35 zyrtarë të MASHT-it nga një institut që duhet të hetohet nga Agjencioni Kundër Korrupsionit, për ndonjë konflikt interesi, pasi dyshohet se ministri dhe drejtuesi i institutit mund ta kenë një të përbashkët, përkatësinë partiake?!

3. Pse trajnimi aq i shtrenjtë po bëhet në Budva, në një nga vendet më të shtrenjta në rajon e gjetiu? A nuk mundet trajnimi të bëhet në zyrat e MASHT-it, në Prishtinë apo në Bogë?!

4. Pse trajnimi në këtë kohë, kur dihet se është bërë për humbjen e vëmendjes ndaj protestës së drejtorëve të larguar brenda MASHT-it? Pse trajnimi u bë për ta zhvendosur apo për ta fshehur këtë skandal?

5. E pyes hapur ministrin e MASHT-it, se si e fitoi tenderin ky institut për trajnimin treditor, me çfarë konkursi, apo procedureje të hapur përmes prokurimit?

6. Pse ministri po fsheh apo nuk po publikon raportin punues për universitetet? A ka përfunduar raporti, apo nuk po ka guxim për ta publikuar? Çfarë po ndodh me vlerësimin dhe këtë raport punues?

E ftoj publikisht secilën media apo Agjencinë Kundër Korrupsionit, të tregojë se a ka pasur konflikt interesi të ministrit me drejtorin e këtij instituti me bazë partinë e përbashkët dhe trajnimin aq të shtrenjtë?