Arbëri

Tirana bëhet qyteti i parë në Shqipëri që aplikon varrezat murale

Tirana bëhet qyteti i parë në Shqipëri që zbaton kulturën e varrezave murale. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë, zhvilloi ceremoninë e zhvendosjes në varrezat murale të Sharrës të eshtrave të 6 shtetasve të parë italianë, që i përkasin periudhës para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në këtë ceremoni mori pjesë kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Kryeipeshkëvi i Tiranës dhe Durrësit, Imzot George Frendo dhe ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Kutilo. kryebashkiaku i Tiranës tha se pas investimeve që kanë përfshirë të dyja varrezat publike, tani ka ardhur koha që qyteti të bëjë një hap tjetër të guximshëm, por që respekton si ata që nuk jetojnë më, ashtu edhe i krijon qytetit mundësi që të mos shpërdorojë hapësirat publike.

“Është shumë e rëndësishme që nisim procedurën për 102 shtetasit italianë të viteve ’30-’40, pra të epokës midis Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore, për të dhënë një shembull se si kjo procedurë bëhet me shumë dinjitet, duke respektuar të gjithë kodet e besimit, kodet civile, duke mësuar nga një shtet modern”, tha Veliaj. Ai theksoi se kultura e varrezave murale është e aplikuar prej shumë kohësh nga shumë shtete dhe sjell një trajtim modern qoftë në respektimin e atyre që janë larguar nga jeta, ashtu edhe në menaxhimin e varrezave publike.

“E kuptoj se është një vendim i guximshëm, që ka shumë nevojë për shpjegim, por ama është një vendim i cili na modernizon. Nëse e pranojmë pa histeri, por me besimin se këto janë vetëm eshtrat fizike, kurse shpirti i njeriut është diku tjetër, dhe duke parë nga Italia një sistem modern, besoj se kemi trajtuar me dinjitet, por edhe me mend në kokë mënyrën sesi respektohen njerëzit, se si trajtohet kjo hapësirë e limituar publike që kemi në qytet për varrezat”, shtoi Veliaj.

Ai theksoi se ndryshe nga Italia, praktika e varrezave murale në Shqipëri do të aplikohet vetëm me varret e vjetra dhe që kanë kaluar disa dekada në tokë. “Jemi përpara një fakti ku, me mbi 3300 varrime çdo vit në Tiranë, kemi nevojë të vazhdueshme për më shumë hapësirë. Siç e shikoni, varrezat në Tufinë po i ngjiten malit të Dajtit, kurse varrezat në Sharrë po marrin gjithmonë e më shumë pronë nga qytetarët, që as këndej nuk na pëlqen kur i shpronësojmë për çështje të tilla. Nëse në Itali koha kur dikush prehet në një varrezë nën tokë është deri në 10 vjet para se të kalojë në një varrezë murale, ne po themi për varret mbi 70-80 vjeçare, të braktisura prej kohësh të stërgjyshërve që s’kanë as familje. Pra, duhet të kemi një moment reflektimi për ata njerëz që janë të besimit katolik apo ortodoks, të cilët tipikisht e bëjnë këtë në vende të tjera, apo edhe me besimtarë myslimanë, por qoftë edhe ateistë, të fillojnë me këtë fazë pjekurie, ku të kuptojmë se toka është e kufizuar dhe s’mund të kemi gjysmën e qytetit varrezë dhe gjysmën tjetër banorë”, deklaroi Veliaj.

Kryeipeshkëvi i Tiranës dhe Durrësit, Imzot George Frendo, theksoi se varrezat murale krijojnë mundësi që njerëzit të vazhdojnë të tregojnë respekt për të afërmit e tyre. Ambasadori italian, Alberto Kutilo e konsideroi këtë ceremoni si hapin e parë drejt një kulture moderne dhe shumë dinjitoze të trajtimit të të afërmeve tanë që nuk jetojnë më.