AKK konstaton se marrëveshja IPKO-Digjitalb nuk çrregullon konkurrencën e tregut

AKK konstaton se marrëveshja IPKO-Digjitalb nuk çrregullon konkurrencën e tregut

10 tetor 2018 14:22

Anëtarët e Komisionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, në mbledhjen e sotme kanë vendosur për lëndën “Telekomi i Kosovës” kundër Marrëveshjes së bashkëpunimit mes IPKO-s dhe DigitALB-it.

Komisioni i AKK-së vendosi se marrëveshja e bashkëpunimit për shpërndarjen e kanaleve të ofruara nga DigitALB në platformën kabllore IPKO, e datës 1 prill 2014, nuk ka çrregulluar konkurrencën e tregut në pajtim me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

“Komisioni i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës konstaton se Marrëveshja e bashkëpunimit nuk përmban kufizimin e të drejtës së blerësit për të përcaktuar çmimin e shitjes së produktit, pa cenuar të drejtën e furnizuesit që të përcaktojë çmimin maksimal të shitjes ose rekomandon çmimin e shitjes, me kusht që të mos jetë fjala për çmime fikse ose minimale të shitjes, e që është rezultat i presionit ekzekutues ose stimulues të ndonjërës palë kontraktuese”, thuhet në komunikatën e AKK-së.

Komisioni i AKK-së konstaton se Marrëveshja e bashkëpunimit nuk bën kufizimin e zonës në të cilën blerësi pjesëmarrës në marrëveshje mund të shesë produktet e të cilat janë objekt i marrëveshjes, ose të kufizojë shitjen e produkteve të kontraktuara për një grup të veçantë të konsumatorëve.

Ky vendim u arsyetua duke u bazuar në nenin 3 par. 1.1 dhe nenin 66 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, ku thuhet: “Zbatimi i këtij Ligji duhet të jetë në pajtim me direktivat e Bashkimit Evropian për Konkurrencën”.

“Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet ndërmarrjeve DigitALB dhe Ipko ka si objekt që t’i jep të drejtën ekskluzive IPKO-s të shpërndajë në platformën e vet kabllore kanalet të përcaktuar nga palët, pjesë e platformës DigitALB të cilat do të ofrohen nga DigitALB. Kjo marrëveshje vertikale, duke u bazuar në “Guidlines on vertical restraints” të Komisionit Evropian pika 2.2 paragrafi 151, Komisioni i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës e cilëson si marrëveshje ekskluzive të shpërndarjes, sepse në një marrëveshje ekskluzive të shpërndarjes, furnizuesi pranon të shesë produktet e tij vetëm për një distributor për rishitje në një territor të caktuar”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme