Arbëri

Ministria e Ambasada i përgjigjen Thaçit në kritikat për drejtorin e Doganës

Përplasjet mes partnerëve të koalicionit qeverisës sa vijnë e forcohen.

Shefi i Buxhetit të Kosovës, Avdullah Hoti, publikisht i është kundërpërgjigjur Presidentit të vendit, Hashim Thaçi, i cili ishte ankuar te kryeparlamentari Veseli se memorandumi i nënshkruar mes ambasadës britanike në Kosovë, Kuvendit e Qeverisë ishte jolegjitim, raporton KTV.

Nëpërmjet një letre publike, Hoti ka sqaruar në pesë pika të gjitha dyshimet e presidentit, duke theksuar se Ministria e Financave dhe partneri implementues janë pajtuar se në të gjitha fazat e konkursit do të zbatohet vetëm legjislacioni në fuqi i Republikës së Kosovës.

Financuesi i këtij memorandumi, Ambasada e Britanisë në Kosovë, ka mbështetur Ministrinë e Financave, duke theksuar se ajo kishte kërkuar që memorandumi të harmonizohej me legjislaturën në fuqi.

“Ambasada Britanike ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të harmonizojë Memorandumin e Mirëkuptimit me legjislacionin në fuqi, para se të nënshkruhej mes të tria palëve. Ne vëmë re se Ministria e Financave e ka lëshuar një deklaratë lidhur me ligjshmërinë e këtij procesi, ku ceket se procesi ka qenë brenda dispozitës së Kodit Doganor dhe të Akcizave dhe nuk është shkelur asnjë legjislacion në fuqi. Ne besojmë që Kosova meriton emërime publike të bazuara në meritokraci dhe që janë transparente. Ne mbesim të përkushtuar t’i ofrojmë asistencë Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, të cilët e kanë përkrahur këtë projekt”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Britanike në Kosovë.

Thaçi, javë më parë, i kishte dërguar letër kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, nëpërmjet së cilës, thoshte se zgjedhja e drejtorit të Doganave ishte e jashtëligjshme, pasi sipas tij, aty nuk ishin përfshirë dispozitat e nevojshme ligjore.

“Si rrjedhojë, Memorandumi i Bashkëpunimit pa përfshirjen e qëllimit të tij në legjislacionin përkatës, e bëjnë memorandumin që të mos jetë në pajtim me legjislacionin në fuqi, që ka të bëjë me procesin e emërimit të pozitave të larta drejtuese në shërbimin civil dhe institucionet e tjera të pavarura”, kishte shkruar presidenti në letrën dërguar kryeparlamentarit më 7 shkurt, një ditë para emërimit të Bahri Berishës.

Kadri Veseli nuk e ka konfirmuar e as mohuar letrën e presidentit, por po atë ditë, më 7 shkurt, në një komunikim elektronik me Kohavisionin, kishte hequr përgjegjësinë nga vetja lidhur me përzgjedhjen e drejtorit të Doganave.

Kohavisioni i drejtoi pyetje zyrës së Kadri Veselit nëse po zbatohet marrëveshja 3-palëshe për akomodimin e profesionistëve në poste të larta të bordeve e institucioneve të pavarura.

Ndonëse nuk ishte pyetur konkretisht për doganat, zyra e tij kishte shkruar: “Kuvendi i Kosovës nuk ka qenë i përfshirë, si dhe nuk ka pasur përfaqësues në vendimmarrje, në procesin e rekrutimit të kandidatëve për Drejtor të Doganave të Kosovës”.