Arbëri

Alternativa pret që mocionin e opozitës ta përkrahin deputetët kundërshtarë të koalicionit PDK-LDK

Alternativa e Ilir Dedës e Mimoza Kusari Lilës shpreh bindjen se iniciativa e fundit për votëbesim të Qeverisë aktuale duhet të përkrahet nga partitë opozitare, por edhe nga deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës të cilët përfaqësojnë votuesit e partive në pushtet, e të cilët janë deklaruar kundër krijimit të kësaj Qeverie.

“Iniciativa e ndërmarrë së fundmi nga subjekti opozitar ‘Nisma’ është një mundësi për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë politike, por në të njëjtën kohë, qytetarëve të vendit duhet t’i ofrohen garanci se vendit do t’i jepet një drejtim i ri politik”, thuhet në njoftim.

Alternativa thotë se përmes deputetit Ilir Deda, do ta japë nënshkrimin e 40, nëse sigurohen 39 nënshkrimet tjera për përkrahje të mocionit për rrëzim të Qeverisë, dhe njëkohësisht do ta ndërmarrë një iniciativë të takimeve nga java e ardhshme për ofrimin e alternativës për ndryshim të qeverisjes në vend, përfshirë krijimin e një fronti të gjërë shoqëror dhe politik, ku interesat e caktuara partiake do të vendosen në plan të dytë.

“Alternativa është për krijimin e një koalicioni të gjerë politik për ndryshime, i cili duhet të jetë në funksion të përmbylljes së suksesshme të shtetndërtimit, zhvillimit ekonomik, uljes së papunësisë, formimin e Ushtrisë së Kosovës, reformën në drejtësi me luftë të përnjëmend kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në njoftim.

“Të gjithë që janë për ndryshime duhet të pajtohemi për një kandidat të pavarur e jo partiak për kryeministër dhe një qeveri më të vogël, kompakte dhe funksionale”, thuhet më tej aty.