Arbëri

Apeli i Shkodrës nuk pranon ankimimin për “Valbonën”, banorët paralajmërojnë përdorimin e dhunës

Descriptive Text

Gjykata e Apelit në Shkodër ka refuzuar të pranojë dje kërkesën për ndalimin e punimeve për ndërtimin e tre hidrocentraleve në lumin Valbona, me pretendimin se përmbaruesi Eduart Mrishaj ka sjellë me vonesë ankimimin.

Dhjetëra banorë dhe aktivistë nga Tropoja kishin shkuar dje në Shkodër për të protestuar, ndërsa pas vendimit të Apelit të këtij qyteti, përmbaruesit Mrishaj nuk i mbetet gjë tjetër veçse të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë.

Më herët Gjykata Administrative kishte vendosur ndaljen e punimeve për ndërtimin e hidrocentraleve, por Gjykata e Shkallës së Parë në Tropojë, nëpërmjet një vendimi të çuditshëm, i hapi udhë vijimit të punimeve.

Vetë banorët konfirmuan qëndrimin e tyre për të mbrojtur deri në fund Valbonën nga ndërtimi i hidrocentraleve, ndërsa thanë se për të arritur qëllimin e tyre, janë gati të përdorin edhe dhunën.

Ata thanë se tërësia e vendimeve të gjykatave në Shqipëri, tregojnë qartë se kompania ndërtuese e hidrocentraleve ka blerë drejtësinë në vend, ndaj dhuna ka mbetur si zgjidhje për të ndalur ndërtimin e tyre.

Në Luginën e Valbonës, aktualisht po ndërtohen 3 hidrocentrale, dy prej tyre në lumin Valbonë, ndërsa një tjetër në lumin Çerem, me fuqi të instaluar, në total 47 mega.

Lumi i Valbonës, i konsideruar si zemra blu e Alpeve Shqiptare është devijuar nga shtrati i zakonshëm dhe ka hyrë në disa tuba me gjerësi mbi 3 metra. Uji nuk do të vijojë rrjedhjen normale në shtratin e tij, pasi do të hyjë në tuba, për të përfunduar më pas në turbinat e hidrocentralit.