Arbëri

Kurti e Mustafa: Kosova ka nevojë për qeverisje të re

Descriptive Text

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se bashkë me LDK-në janë të gatshëm të koordinojnë bashkëpunimin opozitar për të ndalur sa më shpejtë degradimin e qeverisë dhe rrezikimin e territorit.

Kurti këtë e bëri të ditur përmes një postimi në Facebook ku tregoi se është takuar me liderin e LDK-së Isa Mustafa.

“Të gatshëm të koordinojmë bashkëpunimin opozitar në mënyrë që degradimi i qeverisjes dhe rrezikimi i territorit të ndalen sa më shpejtë. Kosova si kurrë më parë ka nevojë urgjente për qeverisje të re dhe cilësore”, ka shkruar Kurti.

Për takimin ka folur edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa. Ai ka thënë se bashkë me Kurtim kanë vlerësuar se Kosova, si kurrë më parë, ka nevojë për ndryshime.

“Sot u takuam me z. Albin Kurti, Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe biseduam për shumë tema që e rëndojnë aktualitetin në Kosovë. Shprehëm gatishmërinë të intensifikojmë bashkëpunimin opozitar në mënyrë që degradimi i qeverisjes dhe rrezikimi I territorit të ndalet sa më shpejtë. Vlerësuam bashkërisht se Kosova, si kurrë më parë, ka nevojë, për ndryshime”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Ky takim vjen vetëm katër ditë para protestës së thirrur nga Vetëvendosje kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi për korrigjim kufijsh me Serbinë. LDK-ja ka thënë se tash për tash s’është e gatshme për protesta, por ka paralajmëruar mocion mosbesimi për qeverinë.